E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Dule: Shkelet e drejta e vetëdeklarimit

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një konferencë për shtyp ka folur për takimin që ka zhvilluar me delegacionin e KiE. Dule deklaroi se PBDNJ-ja në këtë takim ka shprehur shqetësimet e saj për problematikat për të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve etnike, kulturore, linguistike e të tjera. Dule edhe njëherë vendosi theksin se është kundër regjistrimit të popullsisë dhe banesave, që sipas tij me kuadrin aktual shkelet rëndë dhe zhvlerësohet e drejta e vetëdeklarimit. 

“Denoncuam faktin e refuzimit nga ana e qeverisë për regjistrimin e popullsisë ndaj kërkesave të përsëritura si të minoritetit etnik grek dhe të minoriteteve të tjera për konsultime dhe negociata për mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsië”, u shpreh Dule. Ndër të tjera ai theksoi se në qarkun e Gjirokastrës ditët e fundit janë refuzuar me tendenciozitet propozimet për kryetarët e komunave dhe janë zëvendësuar me urdhër e porosi me militantë të PD-së.

Kreu i PBDNJ-së, shprehu qëndrimin e kësaj force politike për ezaurimin e çdo mundësie që regjistrimi i popullsisë të zhvillohet konform standarteve evropiane. “Të cilat deri në momentin që po flasim nuk bëhen të respektueshme. Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë deri në momentin e fundit. Do kërkojmë dialogun mes qeverisë dhe përfaqësuesve të minoriteteve”, u shpreh Dule.

Në konferencën për shtyp, kreu i PBDNJ-së nuk iu përgjigj pyetjes për mospjesëmarrje në tryezën e aleatëve të majtë me kreun e opozitës, zhvilluar mesditën e sotme.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›