E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, sipas planit

Nga Express më 21 dhjetor 2010 në ora 20:00

Përkundër deklaratave nga strukturat paralele serbe se do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në veri të Kosovës, zyrtarë të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë thonë se regjistrimi do të ndodhë në të gjithë vendin. Rifat Blaku, kryetar i këtij komisioni, ka thënë se plani për regjistrimin e popullsisë përfshin të gjithë territorin e Kosovës.

“Në planin tonë përfshihet e gjithë Republika e Kosovës, mirëpo nëse ky plan nuk funksionon, atëherë do t’i shqyrtojmë alternativat tjera”, ka thënë Blaku, duke mos specifikuar për çfarë alternativash bëhet fjalë.

I pyetur nëse vakuumi institucional do të ndikojë në shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, ai ka thënë se kjo nuk do të ndodhë. Blaku ka treguar se tashmë janë bërë thuajse të gjitha përgatitjet përfshirë edhe sigurimin e mjeteve financiare për këtë proces, i cilësuar ndër më të rëndësishmit për Kosovën.

“Ajo që mbetet për t’u punuar në ditët në vijim do të jetë pyetësori, në të cilin të paktën deklarimi i kombësisë dhe religjionit nuk do të jetë obligues. Për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, 1/3 të financave i ka ndarë buxheti i Kosovës, përderisa 2/3 janë siguruar nga donatorë të ndryshëm botëror”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›