E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehabilitimi i Gradual i Një Diktature

15/04/2005  Ka tashmë disa kohë që pseudodebatet dhe diskutimet në lidhje me të kaluarën tonë komuniste në përgjithësi dhe diktatorin Enver Hoxha në veçanti, duket se janë rindezur. Them pseudo, pasi mënyra se si po trajtohet periudha në fjalë nuk ofron asnjëlloj risie përtej riciklimit të thashethemeve tashmë të bajatosura mbi të palarat e bllokut. Trajtimi i diktaturës komuniste po zhvillohet gjithnjë e më shumë në formën e një thashethemnaje, ndonëse e veshur me petkun e një diskutimi ‘serioz’ dhe ‘objektiv’, që synon ta shohë diktaturën në kompleks, pra ‘me të mirat dhe të këqijat e saj’. Dhe kjo është pikërisht pika më shqetësuese e këtij pseudodebati, dhe në fakt një nga arsyet se përse ai zhvillohet me kaq zell. Ai është mënyra më e mirë që, mizoria e diktaturës komuniste të humbasë nëpër thashethemet e tejzgjatura të bllokut, që në mënyrë ‘objektive’ e paraqesin udhëheqjen komuniste bashkë me të mirat dhe të këqijat e saj, ashtu sikurse edhe regjimi të cilin ata drejtonin. Derisa ‘natyrshëm’ arrijmë në konkluzione të tipit ‘historia akoma s’e ka thënë fjalën e fundit në lidhje me regjimin e Enver Hoxhës’, që na lë të kuptojmë se këtij regjimi i kanë rënë kot në qafë kur e kanë emërtuar diktaturë.

Mbetet për t’u sqaruar se kur dhe si historia do të flasë. A thua se historia është një qenie apo entitet i pavarur nga shoqëria, dhe madje mbi të. Historia nuk flet, por ajo shkruhet nga njerëzit. Natyrisht që ajo është komplekse dhe në ndryshim të vazhdueshëm, por kjo kurrsesi nuk e zhvesh atë nga disa të vërteta themelore, të cilat edhe nëse disa nostalgjikë nuk duan t’i shikojnë, historianët i shkruajnë gjithsesi. Dhe këto të vërteta në rastin e diktaturës komuniste janë shumë pranë për t’u harruar, pavarësisht nga malli apo dëshira për t’u rehabilituar e një kategorie njerëzish, që fatkeqësisht sot janë mjaft pranë pushtetit. Janë pikërisht këto të vërteta, apo fakte që kanë të bëjnë me dhunën, vrasjet, burgimet dhe zvetënimin e individid, që duhen diskutuar kur flasim për dikatuturën komuniste shqiptare, dhe jo thashethemet dhe banalitetet e bllokut që, sado ta shuajnë kuriozitetin e fakirëve shpirtëror, nuk mund të na bëjnë të verbër në lidhje me të kaluarën tonë të afërt.

Në fakt historia shkruhet pothuajse gjithmonë nga ata që janë në pushtet, sikurse e provojnë edhe debatet e fundit mbi diktaturën komuniste. Nuk është e rastit që këto debate zhvillohen gjatë qeverisjes socialiste, pavarësisht nga pretendimi i kësaj të fundit se është shkëputur nga e kaluara komuniste. Për ta kutptuar si funksionon diçka e tillë nuk është e nevojshme të ndërtojmë një skenar konspirativ. Rehabilitimi i diktaturës komuniste dhe liderit të saj Enver Hoxha është një proces që ka kohë që ka filluar dhe zhvillohet në një sërë dimensionesh nga një tërësi individësh, që nuk marrin direktiva nga ndonjë qendër e caktuar. Ai është një proces gradual që ka filluar vite më parë. Debatet e sotme janë vetëm produkti final i këtij procesi.

Për të kuptuar se si ka funksionuar, por pa pretenduar për një shpjegim ezaurues, mjafton të shikojmë disa nga pikat më kulmore të këtij procesi. Ai fillon me eliminimn e dokumentarëve kritikë mbi dikaturën dhe udhëheqjen komuniste mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Nuk prodhohen më dokumentarë televiziv apo historikë në lidhje me mënyrën se si funksiononte diktatura, se si përdorej shërbimi sekret, apo se çfarë ndodhte në burgjet e komunizmit. Edhe kur ndërtohen dokumentarë mbi të kaluarën, ata ose fokusohen mbi Luftën Nacionalçlirimtare, ose kur kanë të bëjnë me diktaturën komuniste ‘zbulojnë luftën brenda bllokut’. Dhe ndërsa dokumentarët kritikë në lidhje me diktaturën zhduken, fillon si pa dashje një diskutim i gjerë mbi të palarat e bllokut. Vetë protagonisitët e bllokut apo të afërmit e tyre fillojnë të shkruajnë pafund në lidhje me ambiciet, qejfmbetjet apo përplasjet më banale midis x dhe y lideri. Pika më kulminante e telenovelës ‘Intriga në Bllok’, janë debate të tipit “Mehmet Shehu; u vra apo e vranë”, çka me mjaft elegancë anashkalon pyetjen themelore; cili ishte roli i Mehmet Shehut në diktaturën komuniste? Ndjekshmëria e madhe e kësaj telenovele e bën atë gjithnjë e më prezente në media. Fakti që duke u marrë me thashethemet e bllokut ato anashkalojnë thelbin e çështjes, mizorinë e diktaturës, e bën këtë telenovelë edhe më të domosdoshme. Nuk është e rastit që ajo prodhohet nga vetë protagonistët e jetës në bllok, nga ata, lumturia të cilëve ish ngritur mbi vuajtjet e milionave. Tani, si për ironi, ata jo vetëm që e sfumojnë diktaturën, por për arsye se kanë vuajtur shumë në bllok, kërkojnë edhe simpatinë e asaj popullate mbi vuajtjet e së cilës ndërtuan jetën e tyre. Fatkeqësisht, simpatia e turmave që ndjekin telenovelat fitohet lehtë.

Sikur të mos mjaftonte telenovela në fjalë, kemi edhe një rikthim të fuqishëm të filmave të realizmit socialist, që nga ata me partizanë deri tek ata me tematikë shoqërore. Ky rikthim është deri-diku i kuptueshëm për shkak të nostalgjisë për filmat shqiptar dhe tejngopjes me filmat e huaj. Gjithashtu, këto filma mbeten pjesë e trashëgimisë sonë artistike, pavarësisht nga orientimi i tyre ideologjik. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak se ato duhet të shfaqen në televizor të shkëputura nga konteksti, në të cilin dhe për të cilin ata janë prodhuar. Kjo është veçanërisht e dëmshme për një brez të ri që nuk ka fare kujtesë apo informacion për diktaturën. Një brez që fatkeqësisht po e njëh të kaluarën tonë komuniste vetëm nëpërmjet filmave të realizmit socialist, ku ose tregohet heroizmi dhe kultura e pafund e partizanëve të thjeshtë kundrejt ballistëve dhe borgjezëve injorant, ose jeta e rregullt dhe plot dinjitet e individid nën diktaturë. Një dozë e mirë filmash të tillë është e mjaftueshme që të formësojë te të rinjtë opinionin që diktatura komuniste ishte një regjim ‘me të mirat dhe të këqijat e veta’, mendim që tashmë propagandohet pothuajse haptas nga nostalgjikët, nën moton ‘historia akoma nuk e ka thënë fjalën e vet për komunizmin në Shqipëri’.

Pas një propaganda të tillë të heshtur, por mjaft efektive, që ka vite që ndodh dhe që ndihmohet edhe nga distancimi gjithnjë e më i madh me të kaluarën, rikthimi i disa elementëve dhe simboleve të diktaturës komuniste bëhet jo vetëm i lehtë, por edhe i natyrshëm. I tillë ishte rasti i paradës me rastin e 29 Nëntorit. Pa dashur të futemi në debatin e 28-29 Nëntorit, të bën përshtypje se nga këto dy data një rëndësi më e madhe iu kushtua ditës së çlirimit nga nazistët, 29 Nëntorit, dhe jo ditës së pavarësisë, ditë që në të gjithë botën është më e rëndësishmja. Jo vetëm kaq, por edhe parada e zhvilluar me këtë rast ishte një kopje mbresëlënëse e paradave të diktaturës, me veteranët që marshojnë para tribunës, tullumbacet që hidhen lart, fëmijët me lule në dorë, ushtarët që parakalojnë përpara tribunës dhe që na mbrojnë nga imperializmi botëror. Mungonte vetëm lideri që hidhte karafila nga tribuna. Ndonëse nuk është çudi që të jenë hedhur edhe karafila. Cermonira të tilla, që disa i lanë me gojë hapur dhe të tjerë të mallëngjyer, nuk ndodhin rastësisht. Ato janë produkt i një procesi të gjatë të rehabilitimit të diktaturës komuniste. Po kështu edhe debatet e fundit mbi komunizmin nuk mund të toleroheshin nëse terreni nuk do të ishte parapërgatitur nga një proces i tërë, gjatë të cilit diktatura komuniste, në emër të ‘objektivitetit’, u relativizua pafundësisht.

Në këtë proces dimensioni poilitik është edhe elementi kyç. Ky rehabilitim, ndonëse nuk ka ndodhur në mënyrë krejtësisht të orkestruar, ka qenë i frymëzuar thellësisht nga motive dhe për përfitim politik. Në thelb, ai i ka shërbyer si të kaluarës ashtu edhe të tashmes të forcës politike në pushtet. Tashmë diktatura komuniste shikohet thjesht si çdo fazë tjetër në historinë shqiptare. Kështu kishim diktaturën e ‘satrapit’ Zog, më pas diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, që më pas u ndoq nga diktatura e Sali Berishës. Duke e vënë në paritet me të gjitha fazat historike të zhvillimit të shtetit shqiptar, diktatura komuniste natyralizohet në statusin e thjesht një faze historike si gjithë të tjerat, gjithmonë ‘me të mirat dhe të këqijat e veta’, sipas një interpretim që për nga vetë burimi, është i denjë të emërtohet ‘realizmi demokratik’. Përfitimet që nxjerr nga një qasje e tillë Partia Socialiste janë mëse evidente, aq më tepër kur diktatura ‘Berishiane’ është më e afërt dhe më lehtësisht e përdorshme për efekt elektoral.

Kjo s’do të thotë aspak që burimi i këtij fenomeni, pra i rehabilitimit të së kaluarës komuniste, është thjesht Partia Socialiste apo kryesia e saj, ndonëse kuptohet ato janë pjesë e këtij procesi. Një proces i tillë ndodh pasi në pushtet, në media, në arkiva, në fakultete apo insititucionet kulturore, sikurse edhe në qeveri, ka një numër njerëzish që janë të interesuar që diktatura komuniste të harrohet, ose akoma më mirë, të rehabilitohet. Në këtë mënyrë, dikush nga besimi, dikush nga dëshira për t’i bërë qejfin pushtetit dhe dikush dëshira për mos të hapur çështje që përfshijnë individë apo familjarë të individëve që sot janë në pushtet, të gjithë së bashku prekin tema që e anashkalojnë thelbin dhe përgjegjësitë për diktaturën komuniste. Kështu rehabilitimi i diktaturës ndodhë pa pasur nevojë për dhunë apo për raprezalje. Mjafton që të shprehet qartë dëshira e pushtetit që disa çështje në lidhje me diktaturën komuniste të mos preken. Kaq mjafton që të bëhen emisione, telenovela dhe të hapen debate që flasin shumë për diktaturën komuniste, por që në rastin më të mirë nuk thonë asgjë për të. Në rastin më të keq, ato e paraqesin diktaturën si një regjim si gjithë të tjerët, dhe në fakt me shumë tipare pozitive. Në një kohë kur zhgënjimi me demokracinë është mjaft i madh dhe kur njerëzit gjithnjë e më tepër kërkojnë një ‘dorë të fortë’ diçka e tillë nuk është thjesht e padrejtë, por edhe e rrezikshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›