E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sinaj: S'ka kthim nën 1000 m2

15/04/2005  Komiteti Shtetëror i Kthimit të pronave do të nisë studimin për çmimin në të gjithë Shqipërinë

Pas 4 muajsh do të nisë kthimi i tokave të zëna, ose të ndara sipas 7501

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka vendosur që të mos lejojë, kthimin fizik të pronave nën 1000 m2 troje dhe nën 500 m2 tokë turistike. Në një prononcim të tij, kryetari i Komitetit, Sokrat Sinaj, thotë se “kjo ka pasur thjesht qëllimin e mirë që të mos kioskëzojmë përsëri qytetet tona, të cilat boll më janë kioskëzuar, ndaj nuk duhet të bëjmë veprime që do t'i korrigjojmë mbas pak kohësh". Megjithatë, një vendim i tillë nuk do të thotë se ata pronarë, që kanë për të marrë më pak se 1000 m2 truall dhe nën 500 m2, tokë turistike, nuk do të marrin kompensim. Për ta, është parashikuar kompensimi me forma të tjera, në të njëjtën vlerë që ka toka e shpronësuar. "Në qoftë se ata kanë sipërfaqe më pak sesa 1000 metra katrorë, kuptohet se do të përdoren forma të tjera të kompensimit, që janë të parashikuara në ligj”, tha Sinaj. Megjithatë, nga java e ardhshme Komiteti Shtetëror ka vendosur që të fillojë njohja dhe kthimi i pronës atje ku ajo është e lirë. Një mënyrë e tillë e veprimit do të shmang nevojën e metodikës për vendosjen e çmimeve. Parashikohet që kompensimi i tokave të zëna, duke u bazuar në çmimet e metodikës të fillojë pas pas katër mujash. Burimet zyrtare thanë se menjëherë pasi të jetë miratuar Metodika e pronave, do të nisë një studim për të gjitha zonat në Shqipëri. Duke miratuar çmimet konkrete, komisionet vendore do të jenë në gjendje që të vlerësojnë se sa lekë kushtonte toka e shpronësuar nga shteti, duke përcaktuar kështu dhe hapësirën që do të marrë për kompensim një pronar. Ligji parashikon, se kompensimi duhet të jetë me të njëjtën vlerë që ka toka e shpronësuar. Studimi pritet të zgjasë rreth katër muaj. Fillimisht, komisionet do të kenë prioritet kompensimin fizik për ish-pronarët. Pas përfundimit të këtij procesi, parashikohet nisja e kompensimit financiar. Gjatë viteve qeveria do të krijojë një fond të posaçëm për kompensimin e pronave. Burimet thanë se fondi për kompensim shkon në 2 milionë dollarë. Në metodikë është parashikuar që toka truall të kushtojë nga 75 euro në 606 euro. Ndërsa për tokën truall vlera do të jetë nga 40 euro në 208 euro.

Metodika

Metodika e vlerësimit të tokave ka mbetur në diskutimet e deputetëve të Komisionit të Bujqësisë dhe atë të Ekonomisë. Në Komisionin e Bujqësisë janë hedhur dy propozime. Demokratët kanë kërkuar që çmimi për tokat truall të jetë më i lartë, ndërsa socialistët janë shprehur se metodika parashikon çmime më të larta për kompensimin e tokës në tërësi. Gjithsesi do të jetë mbledhja e javës së ardhshme që do të përcaktojë më qartë se si do të veprohet me metodikën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kuvendi ka parashikuar që votimi të bëhet më 21 prill ose më 24 po të këtij muaji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›