E Hënë, 2 Nëntor 2026

Unë jam shqiptar - Unë jam evropian

15/04/2005  Unë jam shqiptar. Falenderoj krijuesin për këtë.

Pasaporta ime nuk është thjesht një mjet për të kaluar kufirin. Unë kam treguar se di ta kaloj kufirin edhe pa copën e letrës që i thonë pasaportë dhe të kthehem atje ku jam krijuar, përsëri, pa krijuar probleme. Kjo sepse unë di të orientohem dhe të gjej fare lehtë pikat e horizontit, edhe pa busull. Veç kësaj i përcaktoj lehtë edhe objektivat dhe i ndjek ato për t’i arritur. Me sa duket, kjo aftësi do të jetë ndonjë nga genet e fshehta të shqiptarit – perla të trashëguara nga të parët. Unë perëndimin e gjej symbyllur, me nuhatje, edhe kur rruga më ka shpënë në drejtime pa krye, sepse mungonin ose më ishin mbyllur rrugët e tjera.

Edhe pse kam lëvizur nëpër botë edhe pa copën letër që i thonë pasaportë, unë e kam patur

atë përherë brenda qenies time. Disa nga fletët e para të pasaportës time janë e kaluara e largët e pellazgëve dhe trashëgimia ilire, papët e kardinalët, perandorët e mbretërit që bregu i Adriatikut i ka falur Evropës, janë vezirët e sulltanët, që kanë qeverisur vende të lindjes, janë Skënderbeu, Lufta Antifashiste, e madhja Nënë Tereza dhe fletë të tjera të pasaportës time janë gjuha shqipe – ndër më të vjetrat në botë, janë culja dyjare e çiftelia, qeleshja e xhubleta, polifonia labe e muzika e lehtë shqiptare, poezia e piktura, kodi shqiptar i familjes, nderimi për mikun etj.

Kjo pasaportë me përmasa gati unikale në këtë botë, e cila po integrohet me shpejtësi, ka mjaft vula e viza për kalimin e kufirit dhe këto janë qëndrueshmëria makroekonomike, kontrolli i inflacionit, rritja e volumit tregtar, shtimi i pranisë së firmave të huaja në vend, pjesëmarrja ime në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare në të gjitha fushat, mbijetesa e shpirtit sipërmarrës të firmave të vogla shqiptare etj.

Në këtë pasaportë ka edhe nja dy a tre vula të tjera, që nuk më kanë dhënë mundësinë të lëviz lirisht në Evropë e gjetkë dhe këto lloj vulash i kanë shëmtuar disi fletët e pasaportës time kur më kanë kapur së bashku me ndonjë evropian tjetër, që më mësoi se si të tregtoj miell e mish të bardhë, kur më mësuan dhe kam qenë i detyruar nga të tjerët se si të vjedh ndonjë palë këpucë nëpër supermarkete, apo kur kam fshehur ilegalisht nën strehëz vëllanë tim izraelit, mikun tim turk e bullgar, apo kinezin e largët dhe ukrainasin e Uraleve, kur ata si edhe unë kërkonin shpresë. Por edhe këto vula nuk i kam marrë me dëshirë. Ato m‘i kanë dhënë kushtet e mangëta të jetesës, largësia reale dhe ireale nga pjesa tjetër e Evropës dhe padyshim ftohtësia dhe mosbesimi i tejskajshëm i saj.

Pasaporta ime, edhe pse ka disa vula jo të mira, është një nga instrumentet më të forta të

integrimit dhe të lëvizjes time të lirë. Lëvizja e lirë për shqiptarin nuk është thjesht një qëllim në vetvete, apo një dëshirë meskine për të kullotur sytë nëpër botë. Ajo për mua dhe për çdo shqiptar padyshim është një instrument zhvillimi. Lëvizja e lirë e qytetarëve është mjeti kryesor i njohjes së njëri-tjetrit, i vlerave, i mundësive, i gjetjes se rrugëve për kontakte dhe bashkëpunim si dhe është një mjet shumë i rëndësishëm për të korrigjuar vetveten dhe të tjerët në një Evropë përherë e më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të aftë për të qenë partnere me pjesën tjetër të botës e një nga liderët e saj drejt zhvillimit dhe për një jetë edhe më të mirë.

Kjo është pasaporta e atyre qytetarëve shqiptarë që punojnë e drejtojnë me seriozitet dhe ndershmëri institucionet shtetërore, e atyre shqiptarëve që janë pjesëtarë aktivë të komunitetit tonë të biznesit, shoqërisë civile, qarqeve akademike, medias, rinisë etj.

Janë fletët e pasaportës time dhe vlerat që përmbajnë ato që më ndihmojnë të ndihem se jam pjesë e qytetarisë së Evropës, janë përpjekjet e kombit tim që bëjnë të mundur ballafaqimin

tim me evropianët e tjerë, ballafaqim në të cilin unë kërkoj të gjej të mirat dhe përfitimet që rrjedhin nga integrimi edhe pse jam i bindur se ky integrim ka edhe një kosto që duhet sfiduar.

Përfitimet e integrimit janë çmimet unike të produkteve dhe shërbimeve në një territor përherë

e më të gjerë, gjetja e avantazheve krahasuese dhe konkurruese të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, marrja e vlerave më të mira nga qytetaria, kultura, shkenca dhe shoqëria evropiane dhe sfidat e këtij integrimit për mua dhe vendin tim janë gjetja e forcave, mjeteve

dhe mundësive për të mbrojtur vlerat e përbashkëta evropiane të bashkekzistencës, vlerat e respektit, besimit e ndihmës reciproke apo përpjekjeve për qeverisje me duar të pastra etj.

Përfitimet e Evropës nga integrimi i shqiptarëve janë besnikëria për mbrojtjen e vlerave të

përbashkëta, vlerat shqiptare të familjes dhe shoqërise, vitaliteti dhe intuita natyrale e shqiptarit drejt pozitives dhe së mirës në përgjithësi, është shpirti i artistit, respekti ndaj besimeve të tjera fetare dhe ideve të të tjerëve, jane vlerat historike dhe arkeologjike, janë kështjellat tona murerëna nga luftërat për të mbrojtur qytetërimin evropian, janë mundësitë që iu hapen operatorëve publikë dhe privatë evropianë për të bërë biznes me shqiptarët, është zvogëlimi i kostove të transportit të pasagjerëve, mallrave, shërbimeve dhe ideve për të kaluar nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas etj., dhe sfidat e këtij integrimi për Evropën janë shtimi i kostove për sigurinë dhe cilësinë e jetës, alokimi i më shumë fondeve për programet e projektet e asistencës për Shqipërinë, krijimi te çdo qytetar evropian i idesë se mund dhe duhet të ecë në të njëjtën rrugë apo të banojë në të njëjtën ndërtesë me fqinjin e tij shqiptar etj. Unë e kam të qartë se përfitimet e integrimit për Evropën dhe Shqipërinë janë disa herë më të mëdha sesa kostot e përballjes me sfidat, të cilat kur fitohen të japin ndjenjën e vetëplotësimit si individ dhe më tej. Unë po përpiqem që ky besim te rritet te çdo evropian.

Unë kam përballur shume sfida. Si rezultat kam një imazh shumë të mirë. Imazhi im janë shqiptarët që studiojnë në kontinent, jane balerinët dhe këngëtarët shqiptarë, që me sukses

konkurrojnë në skenat evropiane, janë arritjet e biznesit shqiptar, janë botimet e letërsisë

shqiptare në gjuhët evropiane, është qëndrimi im i drejtë për çështjet ndërkombëtare, janë

bashkëpunimi rajonal dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë, janë djemtë e Shqipërisë që mbrojnë

paqen në pikat më të nxehta të globit, duke e rreshtuar vendin tim krahas forcave të koalicionit antiterror etj. Këta dhe të tjerë shembuj tregojnë se Shqipëria është e suksesshme dhe ky sukses duket edhe në ecurinë e procesit të stabilizim-associimit.

Vula dhe viza të tjera që i duhen pasaportës time për t’u integruar më shpejt janë fokusimi në vlerat më të mira evropiane të qeverisjes së mirë, fokusimi te transparenca dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, te forcimi i shtetit ligjor dhe te zhvillimi i mëtejshëm i konkurrencës së lirë etj.

Unë jam i vetëdijshëm se do t’i fitoj dhe do t’i marr vetë me punën time shumë shpejt këto vula dhe viza, sepse unë di të investoj, sepse unë di të shes dhe të blej, sepse unë di të mbroj vlerat e mia dhe të respektoj vlerat e të tjerëve dhe të gjitha këto sepse unë kam qenë dhe do të jem banor i përhershëm i bregut të Adriatikut. Unë jam i krijuar këtu bashkë me këtë rrip tokë që i thonë Vendi i Shqiponjave dhe do të qëndroj këtu sa të jetë jeta. (Të tjerët janë të ardhur.) Unë jam i vetmi në këtë botë që kam qenë i aftë të mbaj shpendin dykrenësh në flamur. (Të tjerëve u ka ikur.) Unë jam ende në këtë botë, sepse kam në dejet e mi gjakun më të vjetër fisnik në kontinent, me një përbërje unike, ku ndoshta mund të ketë edhe grimca radioaktive nga hapësira ndëryjore, si për të qenë dëshmitar dhe deshifrues i historisë së kodeve të humbura të kësaj bote. Unë jam i krijuar që të kem qenë dhe të jem evropian.

Unë jam evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›