E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Konsensusi politik, kusht për Shqipërinë në BE

BRUKSEL-  Pasi ka informuar komisionerin europian për zgjerim për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe të integrimit të Shqipërisë në BE, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta dhe komisioneri Olli Rehn kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel.
Në konferencën që nisi rreth orës 15:30, fjalën e mori i pari komisioneri Rehn i cili pasi ripërsëriti edhe njëherë disa nga konkluzionet e progres raportit të Komisionit Europian theksoi nevojën e konsensusit politik në përparimin e Shqipërisë drejt Unionit Europian.

“Shqipëria ka bërë përparime në disa reforma sic e kemi thënë edhe në raport. Zgjedhjet i përmbushën disa nga kriteret, por ka ende disa probleme të identifikuara. Dua të them dicka për maturimin demokratik, kryesisht për atë cfarë kërkon KE. Kërkojmë reforma dhe konsensus politik që janë thelbësore për të patur përparim për integrimin në BE” u shpreh Rehn.

Ndërsa e konsideroi bojkotin e opozitës si jashtë standardeve europiane duke thyer stabilitetin demokratik të vendit, Rehn ju drejtua socialistëve të kthehen në Kuvend, sepse sipas tij, debati politik duhet të zhvillohet brenda dyerve të legjislativit.
“Debati duhet të zhvillohet në Kuvend. Stabiliteti demokratik është thelbi kryesor dhe bojkoti i opozitës nuk bën pjesë në këto parime.” tha Rehn. 
Rehn tha se vendimi per liberalizimin e vizave do të merret verën e ardhshme dhe theksoi se lajmet e mira do të vijnë nëse do të jenë plotësuar kushtet.

Ndërkaq, komisioneri europian nënvizoi se një ndër sugjerimet dhe inukrajimet që i përcolli kryediplomatit shqiptar ka të bëjë me përmirësimin dhe mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë, kjo duke ju referuar ngjarjes së ditëve të fundit me gazetarin Mero Baze.

Liberalizimi i vizave. Vitin tjetër përmbushim kushtet
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin Olli Rehn, ministri i Jashtëm Ilir Meta, u shpreh se qeveria shqiptare është e vetëdijshme se ka ende punë për të bërë, sipas tij, do të thellohet më tej procesi i reformave në vend. Kryediplomati shqiptar u shpreh i bindur se vitin tjetër Shqipëria do të jetë gati të përmbushë të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
“Qeveria shqiptare do të thellojë procesin e reformave në vend, ne jemi të vetëdijshëm që ky proces duhet të përmbushë të gjitha kushtet për libralizimin e vizave. Qeveria shqiptare do të angazhohet që deri vitin tjetër të gjitha pikat të jenë përmbushur” theksoi Meta.

Ministri i Jashtëm foli edhe për progres-raportin, duke theksuar se qeveria e tij i ka marrë seriozisht të gjitha rekomandimet.
“Dua të informoj z. Rehn se, lidhur me progres-raportin, qeveria shqiptare i ka marrë shumë seriozisht të gjitha rekomandimet. Kemi hartuar një plan veprimi dhe jemi të përgatitur për tju përgjigjur në kohën e duhur pyetësorit”. Edhe Meta ashtu si komisioneri Olli Rehn, ka vënë në dukje faktin që opozita duhet të kthehet në parlament për të bashkëpunuar. “Duam të bëjmë më të mirën për këtë proces, kemi gadishmëri për të bashkëpunuar edhe me opozitën”, u shpreh Meta.

Një rëndësi të vecantë i ka kushtuar edhe bashkëpunimit me vendet e rajonit, duke siguruar komisionerin Rehn se, Shqipëria është e vendosur të cojë përpara angazhimet për të qënë një faktor stabiliteti në rajon. 

Duke u ndalur tek rasti i gazetarit të dhunuar Mero Baze, Meta u shpreh: “Personat ndaj sulmit të Bazes janë të arrestuar. Institucionet janë distancuar jo vetëm nga ky incident por edhe nga cdo incident që cënon lirinë e medias”.
(e.n/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›