E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Cana: Golin ia kisha premtuar babait

Lorik Cana shënoi kundër Liverpulit golin e tij të parë historik në Ligën e Kampioneve. 

Një arritje personale, që për fat të keq u shoqërua me humbjen e dytë rresht në shtëpi ndaj 5 herë kampionëve të Evropës, pas asaj të një viti më parë 4-0 në “Velodrome” të Marsejës. Në fakt, Marsejë-Liverpul ishte një takim, ku tre golat u shënuan nga kapitenët, Lorik Cana për Marsejën (23’) dhe Stiven Xherrard për Liverpulin (26’ e 32’ me penallti). Ylli i përfaqësueses shqiptare, në një intervistë për football.fr ka folur për golin e tij të parë dhe parandjenjën e pabesueshme që pati para ndeshjes se do të shënonte.
Lorik Cana, a ju jep ky gol një kënaqësi të veçantë?
Më e pabesueshmja është se para ndeshjes, i kisha thënë babait tim që do të shënoja. Ky është një gol i rrallë, pasi unë nuk shënoj shumë gola. Trajneri na kishte kërkuar, mua dhe “Ben”-it (Sherjusë) të ndiqnim vazhdimisht aksionet e të provonim për të qenë shumë përpara në terrenin. Përgjithësisht, kur ndodhem në zonën e rreptësisë, unë arrij të gjuaj mirë dhe dje (të martën) e kisha këtë parandjenjë. Mirëpo në fund të takimit ishte shumë zhgënjyese, pasi e gjithë puna e bërë mbeti në hije për shkak të humbjes 1-2. Me një barazim apo një fitore, ndeshja do të ishte zbukuruar shumë, por fatkeqësisht në futboll rëndësi ka vetëm rezultati dhe këtë mëngjes, s’mund të jem veçse i zhgënjyer.
Si reaguat në fushën e lojës, kur një nga kolegët tuaj bëri një gabim të atillë në një ndeshje kaq të rëndësishme?
Në këto raste, kur dikush bën një gabim, nuk ka nevojë të shkosh e t’i flasësh. Një profesionist e di kur gabon dhe e përjeton atë shumë më keq se të gjithë. Edhe unë kam bërë gabime, të gjithë bëjmë. Megjithatë mendoj se duhet ta provojmë sërish. Duhet të ruajmë shpirtin tonë luftarak. Duhet të vazhdojmë të ecim përpara.
Përpara ndeshjes, të gjithë e dinit se duhet të qëndronit vigjilentë...
Po, ashtu është. Ndonjëherë nuk mund të parashikosh dhe të dish saktësisht se çfarë duhet të bësh gjatë një aksioni. Fatkeqësisht në ekipe ka gjithmonë të tilla individualitete e duhet të bësh shumë kujdes. Pas kësaj më duhet të befasohem pas një topi plotësisht të lehtë që niset nga pjesa tjetër e fushës, duket se nuk ka asnjë rrezik në pamje të parë, por gjendesh i befasuar më pas. Kjo, pasi përveç një pritjeje në fund të pjesës së dytë nga Stiv Mandanda, nuk mbaj mend që Liverpuli të kishte ndonjë rast të pastër për gol. Por është një ekip i madh dhe shumë mirë i organizuar. Nuk mund t’i shohësh kurrë duke u mbrojtur. Është e jashtëzakonshme. Jam duke menduar për Dirk Kajtin, i cili i ishte ideatori i golit të fundit. Bëri 40 metra sprint për të kapur anësoren. Këta lojtarë janë të admirueshëm. Janë shembuj prej të cilëve duhet parë nga duhet të kalojmë dhe sa duhet të avancojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›