E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi politik është jetik për të ardhmen e vendit

06/10/2009  Presidenti Bamir Topi kërkon angazhimin e gjithë politikës në procesin e integrimit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar që e gjithë politika shqiptare duhet të angazhohet në procesin e integrimit europian të vendit. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaslav Klaus, kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se marrëdhëniet politike në një vend që frymëzon integrimin janë shumë të rëndësishme. Ai ka nënvizuar faktin se Shqipëria, sikurse çdo vend tjetër demokratik, ka nevojë për një marrëdhënie institucionale mes mazhorancës dhe opozitës. “Vetëkuptohet që thirrja frekuente është për këtë lloj bashkëpunimi, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. Ka mjaft çështje edhe në retrospektivën e afërt ku përtej mosmarrëveshjeve janë arritur konsensuse të rëndësishme. Përveçse apelit për bashkëpunim që vjen nga Presidenti, i tërë vullneti për bashkëpunim është i partive politike”, - ka deklaruar Presidenti Topi. Sipas tij, sa më i rëndësishëm të jetë ky bashkëpunim aq më i lehtë është procesi i integrimit. “Pra, për ta ilustruar më tej, ajo që kërkohet nga Evropa e bashkuar është vazhdimi i reformave dhe në mënyrë të veçantë i reformës në fushën e drejtësisë. Patjetër që kërkohet bashkëpunim, jo thjesht politik, por edhe formal për të arritur numrin e nevojshëm të konsensusit për të miratuar reformat e mëdha në drejtësi. Jam i bindur se nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajën të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i sigurt, i cili do të finalizohet me sukses”, - ka deklaruar Presidenti Topi.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp krerët e dy shteteve kanë vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Të dy presidentët kanë evidentuar se marrëdhëniet mes dy shteteve janë shumë të mira. “Informova zotin President për stabilitetin e institucioneve të Shqipërisë, për aspiratën integruese të Shqipërisë. Nuk është e rastit që ne aplikuam për në BE në kohën e presidencës çeke”, - ka deklaruar Topi. Nga ana e tij Klaus tha se me homologun e tij shqiptar diskutoi mbi regjimin e vizave, i cili duhet të përmirësohet dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë. Po ashtu ai tha se diskutoi edhe mbi një çështje tjetër, e cila është e rëndësishme: linja direkte e fluturimit mes Tiranës dhe Pragës.

Klaus përplaset me medien shqiptare

Presidenti çek Vaslav Klaus gjatë konferencës për shtyp e ka cilësuar si politike pyetjen e një gazetari shqiptar lidhur me ratifikimin nga ana e vendit të tij të Traktatit të Lisbonës. “Kjo nuk është një pyetje. Kjo është një deklaratë politike, ndoshta e një aktivisti, i cili po e përdor këtë konferencë shtypi për të shprehur pikëpamjet e veta. Nuk kam ardhur këtu për të diskutuar ratifikimin e Traktatit të Lisbonës në Republikën e Çekisë dhe nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për ju. Aktualisht është e pamundur që të ratifikohet ky traktat, se kjo do të diskutohet dhe do të debatohet si në Gjykatën Kushtetuese të Republikës Çeke, ashtu dhe në institucionet përkatëse të saj”, - tha ai. Presidenti Klaus deklaroi se, edhe sikur do të donte të nënshkruante Traktatin, nuk mund ta nënshkruajë atë. “Nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë se do të zgjerojë Bashkimin Evropian”, - tha ai.

Kosova, temë e diskutimit presidencial

Krerët e shtetit shqiptar dhe atij çek kanë pohuar se çështja e Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve. Presidenti Topi bëri me dije se gjatë takimit zyrtar, i cili u zhvillua kokë më kokë, së bashku me homologun e tij çek diskutoi mbi çështjet e ditës, situatën politike në vendet respektive, si dhe “relativisht gjatë edhe për çështjet e zhvillimeve rajonale, pra të rajonit ballkanik duke u fokusuar kryesisht në çështjen e Kosovës dhe të ardhmes së saj”. Nga ana e tij Presidenti Klaus pohoi se çështja e Kosovës ishte temë e diskutimeve. Sipas tij, gjatë bisedën nuk pati ndonjë përfundim konkret rreth kësaj teme. “Nuk është se dolëm në ndonjë konkluzion revolucionar. Presidenti Topi më shpjegoi këndvështrimin e tij, pra se si e shikon të ardhmen e një vendi të përhershëm siç është Kosova, kështu që nuk kam ndonjë gjë tjetër për të thënë”, - deklaroi kreu i shtetit çek.

Klaus takon Berishën

Presidenti çek Vaslav Klaus ka zhvilluar një takim të veçantë me kryeministrit Sali Berisha. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen që Klaus dhe Çekia i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë periudhës së demokracisë, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e integrimit europian. Presidenti Klaus u shpreh se Shqipëria ka pësuar shndërrime të thella gjatë këtyre viteve të fundit si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të lidershipit të saj dhe se këto rezultate janë tashmë para syve të të gjithëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›