Remont i plotë për dy elektrovinça Ganz
DURRËS Autoriteti Portual Durrës në përputhje me strategjinë e zhvillimit të mëtejshëm të hapësirës portuale dhe mbështetur në aktivizimin e potencialeve aktive të saj, ka vendosur të rinovojë dhe riaftësojë dy elektrovinça të prodhimit Ganz (hungarez) me kapacitet 16 – 27 ton. Realizimi i remontit të përgjithshëm për këto elektrovinça ka nisur prej disa javësh dhe është pjesë e një projekti më të madh, që konsiston në kthimin e Kalatës Lindore në një hapësirë të re për shfrytëzim portual. Remonti dhe rinovimi i dy elektrovinçave Ganz, prodhim hungarez i viteve 1970 po kryhet nga Firma “3 A Profila” shpk , mbi bazën e kontratës “Për kryerjen e shërbimit të remontit të 2 El/vinçave Ganz 16.5 dhe 27 ton” dhe kap vlerën financiare prej 189 milion lek (pa TVSH). Sipas kontratës së firmosur më 14.07.2011 punimet do të përfundojnë 18 muaj pas nënshkrimit. Në fund të vitit të kaluar në portin detar ka përfunduar remonti i tre elektrovinçave të tjerë, me një vlerë të përgjithshme 150 milion lek. Elektrovinçat janë instaluar dhe kanë nisur punë në kalatën lindore. Remonti i përgjithshëm i 5 elektrovinxhave do të rrisë efektivitetin e Kalatës Lindore, menjëherë pas thellimit të Basenit, çka përbën një nga objektivat e afërt dhe më të rëndësishëm të Autoritetit Portual të Durrësit.