E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistja skoceze falënderon policinë, zbuluan hajdutin

Gjirokastër Nëpërmjet një letre të veçantë një turiste skoceze ka falënderuar policinë e Gjirokastrës, pasi efektivat blu kanë zbuluar autorin e vjedhjes së saj. Sipas burimeve policore, turistja skoceze me inicialet L.K. është vjedhur, ditën e hënë 19 shtator 2011, ndërsa vizitonte kështjellën e Gjirokastrës. “Në zonën pranë sahatit të Kalasë asaj i është afruar një i ri dhe ndërsa ka biseduar anglisht duke e kërcënuar i ka kërkuar që t’i japë sendet personale dhe të hollat që dispononte”, thonë burimet policore. Skocezja e frikësuar i ka dhënë të riut telefonin celular, aparatin fotografik dhe një shumë lekësh dhe eurosh që dispononte në çantën personale. I riu pasi i ka marrë ato është larguar menjëherë nga mjediset e kështjellës. Pas disa minutash turistja është drejtuar për në policinë e Gjirokastrës ku ka bërë denoncimin për ngjarjen. Pas një pune të mirëfilltë profesionale dhe hetimore, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, i cili është shpallur person në kërkim. “Ne dyshojmë se autori i ngjarjes është i riu me inicialet E.C., i cili është skeduar nga ana jonë, pasi njihet si përdorues i rregullt i lëndëve narkotike”, thonë burime në policinë e Gjirokastrës. Policia ka bërë shpalljen e tij person në kërkim, po punon për ndalimin e të dyshuarit dhe kthimin e sendeve të vjedhura turistes nga Skocia. Pasi është informuar për ecurinë e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes turistja skoceze nëpërmjet një letre dërguar policisë së Gjirokastrës shpreh falënderimet e saj për punën hetimore të bërë nga efektivat blu për këtë ngjarje. Kjo është hera e parë për këtë sezon turistik kur cenohet siguria publike për grupet turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë qytetin e Gjirokastrës. Në një deklaratë për shtyp të publikuar ditën e premte, policia e Gjirokastrës e konsideron si të veçuar ngjarjen e vjedhjes së turistes skoceze. “Ne garantojmë turistët vendas dhe të huaj që gjatë vizitave të tyre në Gjirokastër nuk do të përballen me probleme përsa i takon rendit dhe sigurisë publike”, pohohet në deklaratën për shtyp të policisë lokale.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›