Rëndësia elektorale e zgjedhjeve në PD
Mund të konsiderohet “fat” zhvillimi i zgjedhjeve të brendshme në PD në prag të zgjedhjeve parlamentare. Zhvillimi i paralajmëruar i zgjedhjeve në strukturat e partisë qeverisëse pa dyshim që i kalon kufijtë partiakë të interesimit. Opinioni publik është i mbërthyer pas këtyre zhvillimeve, gjë që vihet re tek përqendrimi i mediave në lajme, komente e analiza me fokus zgjedhjet në PD.
Mirëpo, ndërsa opinioni mjaftohet vetëm me kureshtjen për PD-në dhe elektoratin e saj rëndësia e këtyre zhvillimeve është jetike.
Mënyra e zgjedhjeve dhe sidomos produkti i tyre përbëjnë edhe fillimin e fushatës elektorale të PD-së, situatë që detyron seriozitet dhe kujdes të veçantë. Ne orientimin pragmatist që ka marrë politika shqiptare, politikat e burimeve njerëzore kanë pa dyshim një rëndësi parësore. Rëndësia e individëve që do të zgjidhen për të drejtuar forumet partiake, marrin një rëndësi të veçantë, pasi në kushtet e ligjit të ri elektoral ajo që u ofrohet votuesve si alternativë elektorale, është partia, programi dhe lidershipet e saj në të gjitha nivelet. Ndryshe nga herët e tjera, roli i kandidatëve për deputet zbehet, pasi ligji detyron një listë kandidatësh për një rajon të caktuar, duke shmangur raportin e drejtpërdrejtë zonë elektorale - deputet.
Kjo u jep një rëndësi të veçantë drejtueseve qendrorë e rajonalë të forumeve partiake, gjë që detyron një vëmendje përtej të zakonshmes të zgjedhjeve në PD.
Janë të gjitha mundësitë që partia më e madhe e mazhorancës ta shfrytëzojë këtë start elektoral për të krijuar një shkëputje që në fillim nga kundërshtarët. Për këtë duket se janë të gjitha mundësitë në dispozicion, pasi figurat me integritet politik, moral e intelektual janë e vetmja gjë nga e cila PD-ja nuk ka vuajtur kurrë.
Qenia në pushtet për 4 vjet përbën natyrisht një periudhë ku kanë mundur të provohen, por edhe të promovohen individët që pritet të marrin apo rimarrin drejtimin politik të forumeve nga qendra në bazë. Gjatë kësaj periudhe, PD-ja ka pasur disa momente e mundësi për të provuar politikisht burimet njerëzore të saj. Një moment i pashmangshëm në standardet e përzgjedhjes së strukturave drejtuese janë zgjedhjet lokale dhe sidomos rezultati, tregues shumë të rëndësishëm për lidershipet lokale që kërkojnë të rikonfirmohen. Konsumimi politik e moral është një tjetër “standard” që nuk mund të shmanget nga përzgjedhjet e lidershipit të ri. PD-ja i ka të gjitha mundësitë të riparojë imazhin e saj atje ku ai stonon në raport me të përgjithshmen e suksesshme, gjë që e provuar më parë, ka rezultuar e suksesshme (p.sh. KOP-i).
Procesi i zgjedhjeve të brendshme ka një barometër që natyrisht është anëtarësia dhe elektorati i deklaruar i PD-së që në këtë periudhë pushteti të PD-së ka pasur gjithë mundësinë të provojë e të verifikojë vlerat e drejtuesve aktualë, por edhe të atyre pretendentë, gjë që lë shumë pak hapësirë për zgjedhje të gabuara. Nëse ky barometër lejohet të funksionojë normalisht, cilësia e forumeve të reja drejtuese do të jetë pa dyshim më e mirë, në të kundërtën, imponimi i vullneteve do të krijonte përveç mangësive në përfaqësim, edhe çarje midis drejtuesve dhe militantëve dhe elektoratit, një përvojë e hidhur kjo e PD-së.
Përfundimisht, mendoj se zgjedhjet në PD janë pa dyshim preludi i fitores së paralajmëruar të së djathtës në zgjedhjet e ardhshme. Faktet e deritanishme kanë treguar se politikat e burimeve njerëzore janë shumë të rëndësishme për elektoratin shqiptar. Në këtë këndvështrim dhe në kushtet e reja të zhvillimit të zgjedhjeve, rëndësia e zhvillimeve të brendshme bëhet parësore e mbase edhe përcaktuese për fitoren e zgjedhjeve politike. Nëse arritjeve në qeverisje do t’u paraprihet me një përfaqësim dinjitoz politik e partiak, garancitë për fitoren e zgjedhjeve që po vijnë, do të jenë më të shumta e sidomos më të sigurta. Mundësitë për këtë janë të shumta. Duhet vetëm vëmendja dhe vullneti i duhur politik.