E Shtunë, 31 Tetor 2026

Program i ri për zhvillimin e industrisë së vajit



Programi i ri për zhvillimin e olivo-kulturës në vendin tonë do të mbështesë dhe nxisë industrinë e prodhimit të vajit të ullirit. Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëjnë me dije se realizimi i programit të ri për shtimin e sipërfaqeve me 20 milionë rrënjë ullinj të rinj, në 4 vjetët e ardhshëm do të rrisë ndjeshëm prodhimin e ullirit në Shqipëri, që do të kërkojë dhe mirëmenaxhim eficent të kësaj kulture. Duke iu referuar “historisë“ së ullirit në Shqipëri, ekspertët e bujqësisë shpjegojnë se në këto 50 vite zhvillimi i ullishtave nuk ka marrë parasysh harmoninë e kushteve klimaterike dhe materiali gjenetik është shpërndarë i paklimatizuar. Kështu, sipas tyre, ulliri i Beratit është mbjellë në Lushnjë apo ulliri i Sarandës në Fier, duke ndikuar në uljen e prodhimit dhe degradim të shpejtë të kësaj bime. Ekspertët thonë se një nga drejtimet kryesore të programit të ri, do të jetë krijimi i ullishtave të reja dhe rehabilitimi i atyre ekzistuese me qëllim rritjen e prodhimit të ullirit për treg dhe konsum familjar, si dy nga drejtimet bazë të shfrytëzimit të ullirit. Sipas këtij programi, 70-75% e prodhimit të ullirit parashikon të shkojë për treg dhe 25% për vetëkonsum, ndërkohë që një komponent i rëndësishëm i programit do të jetë nxitja e industrisë së vajit në vendin tonë. Ulliri zë një sipërfaqe rreth 40.000 ha në shkallë vendi dhe prodhohen rreth 5500 tonë vaj ulliri, duke mos plotësuar kërkesat në rritje, për këtë produkt. Aktualisht, nga prodhimi i vendit sigurohet vetëm 8% e vajit për konsum, ndërsa pjesa tjetër importohet, duke rritur edhe koston e tij. Por, krijimi i ullishtave të reja parashikon rritje të prodhimit dhe do të kërkojë shtimin edhe me 120 linja të reja përpunuese, duke plotësuar kështu jo vetëm kërkesat e tregut vendas, por dhe për eksport.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›