E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reparti 313-të, aty ku gratë i bashkon i njëjti hall

02/06/2005  Burgu 313-të, inaugurohen dy ambiente të reja për gratë

Të paraburgosurat në Repartin 313-të do të kenë mundësi të kalojnë kohën e lirë duke mësuar kompjuter, të qepin në makinë apo të ushtrohen për t’u bërë parukiere. Këto mundësi, 36 grave të paraburgosura ia kanë dhënë drejtuesit e burgjeve në bashkëpunim me Shoqatën Kristiane të Burgjeve Shqiptare. Dje, në Burgun 313-të, pikërisht në sektorin e grave u inauguruan dy ambiente rehabilituese. Ato janë dhoma e pritjes për gratë me fëmijë dhe një ambient në të cilin do të organizohen kurse kompjuteri. Një tjetër ambient është ai çlodhës. Jashtë dhomave të paraburgimit për gratë është ndërtuar një ambient modest çlodhës me stola. Këto gra do të kenë mundësi të kalojnë kohën e lirë të tyre. Projekti kapte vlerën totale të 13 mijë eurove. Gratë që do të bëjnë kurse në këto ambiente do të kenë mundësinë të pajisen me certifikata. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, një projekt i tillë bëhet për të vënë në lëvizje gratë e paraburgosura dhe për të larguar sadopak stresin e përditshëm të tyre. Po dje, në ambientet e Burgut 313-të u zhvilluan ndeshje volejbolli mes femrave dhe futbolli te meshkujt.

36 gra dhe vajza mundohen të kalojnë ditën duke pritur lirinë

Një orë bisedë mes grave dhe vajzave në Burgun 313-të, që presin të dalin në gjyq apo e kanë marrë dënimin dhe shpresojnë të fitojnë lirinë. Janë gjithsej 36 vajza dhe gra, të cilat qëndrojnë në dhomat e paraburgimit të repartit 313-të Tiranë. Vendi i qëndrimit është i ngushtë. Në dhoma qëndrojnë nga dy deri në gjashtë të paraburgosura. Secila kujdeset për vendin e saj të fjetjes. Për gratë është menduar edhe më shumë. Në dhoma kanë bizhuteri, kozmetikë dhe ushqime. E humbasin mendjen nga ajo që ka ndodhur, duke u marrë me njëra–tjetrën. Por nuk mbaron këtu. Grave u është plotësuar dëshira për t’u marrë me punët e dorës. Me mundësitë që u jepen kanë punuar disa jastëkë zbukurimi. Mbi tavolinën e nxjerrë në korridorin e ngushtë dallohen edhe disa triko të bëra me shtiza. Brenda ambienteve të grave ka shumë lule. Madje, dy vazo prej tyre, një me karajfil dhe një tjetër shqiponjë, gratë ia dhuruan Shoqatës Kristiane të Burgjeve Shqiptare.

Krimet

Që të gjitha i bashkon i njëjti qëllim. Dikush pret të dalë në gjyq, dikush tjetër ka dalë në gjyq, por e pakënaqur nga masa e dënimit ka apeluar. Mosha e tyre varion nga 19 deri në 55 vjeç. Vijnë nga qytete të ndryshme të vendit dhe brenda dhomave të ngushta e me pak dritë mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët. Pothuajse shumica e grave akuzohen për vrasje. Por ka edhe vajza që akuzohen se kanë trafikuar drogë apo fëmijë. Thonë me buzë në gaz (edhe pse e dinë se nuk është mirë) se në disa raste edhe zihen me njëra-tjetrën. Por nuk duan të shkojnë në ekstrem. Futemi në ambientet e këtij reparti ku ka vetëm gra dhe shikimi i tyre të jep përshtypjen se diçka kërkojnë. Të afrohen me shumë dashamirësi, sa të duket se mendja e tyre kurrë nuk ka punuar për keq. Në pamje të parë duken se janë nga shtresë e mesme dhe e varfër e popullsisë. Mes grave që kanë vrarë burrin, vajzave që kanë trafikuar në bashkëpunim me djem, janë edhe dy vajza të reja, njëra nga Laçi dhe tjetra nga Kukësi. Altina Cara është vetëm 19 vjeçe. Është nga Laçi dhe në paraburgim qëndron prej dy muajsh. Akuzohet se ka trafikuar një fëmijë 11 vjeç për qëllime fitimi në Itali. Me buzën në gaz shprehet se një gjë të tillë nuk e ka menduar as në ëndërr. Bashkë me të, në të njëjtën dhomë është edhe Laureta Salkurti nga Kukësi, e dënuar me 10 vjet burg. Është vetëm 20 vjeçe dhe është dënuar për vjedhje me dhunë. Qëndrojnë disi të veçuara. Me kokën ulur, thonë se u vjen turp që ndodhen këtu, ndërsa shoqet e tyre bëjnë jetë ndryshe. Në pamje të parë të gjitha gratë duket se janë të ashpra. Shumica prej tyre pijnë cigare dhe thonë se është një mënyrë për të larguar stresin. Në një farë mënyre të gjitha vajzat dhe gratë në Repartin 313-të mundohen të jetojnë në një bashkësi. Në sy të drejtuesve të burgut thonë se me njëra–tjetrën shkojnë shumë mirë, por në biseda të veçanta mëson se jo gjithçka brenda në dhoma është ashtu siç duket. Krimet e kryera janë të ndryshme. Njëra thotë se ka tentuar të vrasë burrin, por fatkeqësisht shprehet vetëm sa e ka masakruar. Kjo është Afërdita Sulaj. Që nga 15 shkurti i këtij viti ndodhet në paraburgim. Nuk e di se çfarë bëhet me të, pasi edhe avokat nuk ka. Tregon se e ka kapur burrin e saj në flagrancë me një femër tjetër te pallatet "Shallvare" dhe është munduar ta vrasë. Tregon se nuk ka arritur ta vasë, por gjithsesi është e kënaqur që e ka masakruar. Një tjetër thotë se ndodhet në burg për shkak të hakmarrjeve personale që kanë patur njerëzit me të. Shumica nuk e pranojnë akuzën për të cilën ndodhen në paraburgim. Nga ana tjetër të gjitha gratë shprehen të kënaqura me trajtimin që u bëhet në paraburgim. Thonë se kanë kushte të mira, ushqim të mirë. Por, gjithsesi nuk janë të kënaqura përsa i takon drejtësisë. Ndjehen të braktisura. Madje, kur të flasin, sytë u mbushen me lot. Nëna me fëmijë që shprehen se kanë gati tre vjet pa i parë me sy. Një ditë mes grave të paraburgosura, ndoshta është pak për të treguar hallet dhe problemet që ato kanë. Pothuajse të gjitha shprehen se nuk bëjnë takime të shpeshta me avokatët.

“Më qëlloi një polic me flokë kaçurrelë. Droga u gjet në shtëpinë e një gruaje tjetër që s’është kapur”

Zamira Gjongecaj: “Më arrestuan e rrahën se kam të dashur Besnikun”

Zamira Gjongecaj kërkon më shumë se femrat e tjera që ndodhen në paraburgim të shprehet për fatin e saj. Është 29 vjeçe dhe ka mbi shpinë akuzën e trafikut të heroinës në bashkëpunim. Është arrestuar gati një muaj më parë në një aksion të policisë, si bashkëpunëtore në trafikun e drogës me tre persona të tjerë. Mohon të ketë dijeni për këtë vepër, madje akuzon policinë se e kanë keqtrajtuar ditën e arrestimit. Pretendoi se është shtatzënë, por një gjë e tillë iu hodh poshtë nga akuza, e cila i kërkoi gjykatës ta lërë përfundimisht në burg pa afat. Është nga Elbasani dhe në Tiranë thotë se ka qëndruar në një shtëpi me qira.

Zamira, kush është akuza me të cilën qëndroni në paraburgim?

Unë jam arrestuar për veprën penale të trafikut të drogës në bashkëpunim. Por betohem se nuk kam gisht në këtë histori të sajuar kundër meje. Jam arrestuar një muaj më parë dhe, pasi kam bërë disa kërkesa për t’u liruar, gjykata nuk i ka marrë parasysh. Nuk e njoh drogën dhe nuk kam bërë kurrë trafik. Po të kisha bërë një gjë të tillë, do të isha edhe unë me shtëpi.

Kush mendon se e ka sajuar këtë histori dhe përse?

Unë nuk e di me saktësi se kush e ka bërë këtë gjë. Por dua të them se jam arrestuar vetëm se jam e dashura e Besnik Brakës. Unë nuk kam jetuar me të në një shtëpi, por takoheshim shpesh. Them me bindje se jam viktimë e kësaj drejtësie, që vetëm këtë emër nuk ka.

Zamira, pas arrestimit ju thatë se ishit shtatzënë dy muajshe. Prokuroria e kundërshtoi këtë gjë. Më thuaj sa e vërtetë është deklarata juaj?

Nuk di çfarë të them për këtë gjë (mundohet të vërë dorën në bark për të treguar se është shtatzënë. Shoqet bashkëvuajtëse shikojnë njëra–tjetrën). Pas arrestimit kam kam qenë e sëmurë. Jam vizituar tek mjekët dhe më kanë thënë se je shtatzënë. Kur më kanë arrestuar policia më ka rrahur keq në shtëpi. Erdhën natën dhe në stomakun tim ranë shumë shqelma.

A e njihni personin që ju qëlloi ditën e arrestimit?

Di të them se ishte një polic me flokë kaçurrela. Pasi më rrahën dhe më dërguan në komisariat, më thanë se më kishin marrë kot. Qenë vetë policët ata që më thanë se nuk kishin prova për mua. Në shtëpinë time nuk u gjet asnjë gjë nga policia. Po të duan të thonë të kundërtën. Madje dhe droga u gjet në shtëpinë e një gruaje tjetër, e cila nuk është arrestuar. Mua po ta them edhe një herë, më kanë arrestuar vetëm se jam e dashura e Besnik Brakës, të cilin policia e kishte shpallur person në kërkim. Janë të tjerë ata që kanë bërë trafikun e drogës.

Si e justifikoi gjykata kërkesën tënde për të rritur fëmijën jashtë burgut?

Prokuroria paraqiti një kërkesë, ku kundërshtonte deklarimet e mia. Unë nuk e di se çfarë ka bërë avokati, pasi mua më kanë lënë në burg dhe që nga ajo ditë avokati nuk ka ardhur të më takojë. Dua të them se kjo nuk është drejtësi, por skëterrë. Nuk e di nëse do të dal ndonjë ditë për të vënë drejtësinë në vend.

Dëshira Noka: “E vrava burrin se më torturonte”

Një personazh tepër i njohur për opinionin është edhe Dëshira Noka, gruaja që vrau burrin e më pas e groposi në oborrin e shtëpisë. Vaji i hedhur në burg nga disa të dënuara ka lënë shenja në fytyrën e Dëshira Nokës, gruas që për vite me radhë mbajti të fshehur krimin makabër. Kalonte për çdo ditë mbi trupin e burrit, madje kishte bindur fëmijët se nuk duhej të tregonin për asgjë. Pranon me pak fjalë se e ka kryer vrasjen. Ndërsa nuk ka dëshirë të shprehet për jetën e fëmijëve të saj. Buza nuk i qesh asnjëherë, edhe kur sheh e dëgjon shoqet që luajnë. Është e mënjanuar nga të tjerat. Teksa mbush një gotë me pije freskuese, pranon t’u përgjigjet disa pyetjeve të mia.

Dëshira, për ju tashmë është ngritur akuza për vrasjen e burrit tuaj, Avdi Noka, në dhjetor 1999. Mund të na tregoni me pak fjalë të vërtetën?

Tashmë dihet e vërteta. Unë e kam vrarë burrin tim. Por nuk e vrava sepse doja një tjetër, por ai më kishte nxirë jetën. Kisha tre fëmijë që për çdo ditë mendohesha me se t’i rrisja. Ndërsa burri im ishte i ndikuar nga njerëzit e familjes së tij. Vinte nga puna i dehur dhe më rrihte. Kam arritur deri aty sa jam bërë kriminele, kam vrarë e kam varrosur me duart e mia. Këtë gjë e kam bërë nga halli, të gjithë duhet të më besojnë.

Përse e mbajtët të fshehur vrasjen dhe përse e varrosët në oborr?

E bëra për të larguar dyshimet. Sajova një histori. Kisha tre fëmijë për të rritur. Unë bëra një krim, por fëmijët nuk kisha përse t'i lija rrugës. Njerëzit e burrit nuk më donin as mua dhe as fëmijët.

A ju kanë ardhur fëmijët për takim

Jo. Që nga dita kur është zbardhur ngjarja, fëmijët e mi janë mbajtur nga njerëzit e Avdiut. Unë dua t'i takoj, por nuk kanë ardhur. Kjo më bën edhe më shumë nervoze.

Thuhet se ju keni shumë kontradikta me shoqet bashkëvuajtëse. Është e vërtetë kjo dhe nëse po përse ndodhë?

Këtu në burg thuhet gjithçka. Unë nuk dua të zihem, por më ngacmojnë vetë, duke më thënë kriminele dhe fjalë të tjera. Aq është puna sa të fillojë sherri, se pastaj vazhdon vetë.

Kush ju ka djegur në fytyrë?

Jam djegur nga një grua në Burgun 325. Atje kam qenë duke vuajtur dënimin. U grindëm keq dhe ajo ruajti momentin kur po gatuante, duke ma hedhur vajin në fytyrë.

Çfarë do të doje të bëje pas gjithë këtyre ngjarjeve?

Tani nuk e di as vetë. Por do të kisha shumë dëshirë të takoja fëmijët e mi. Kam tre fëmijë, të cilët prej kohësh nuk e di se çfarë bëjnë dhe ku janë.

Bombaj, avokatja më kërkoi të marr përsipër fajin

Fiorentina Bombaj nga Vlora pret të fitojë nga gjykimi në shkallën e dytë. Është dënuar për akuzën e vjedhjes me dhunë të një shtetasi kosovar. Tregon se krimin e ka kryer bashkë me Shkëlqim Malaj dhe Urim Çupin. "Unë mora përsipër fajin para gjykatës për të liruar nga burgu Shkëlqim Malaj dhe Urim Çupin. Këtë ma kërkoi avokatja ime, Fatbardha Hajdari". Fiorentina tregon se është dënuar, ndërsa nuk ngurron të shprehet se avokatja i ka dhënë shpresa për ta liruar në Apel. Nuk dinte se çfarë do të bëhej me të para se të pranonte ofertën për të marrë përsipër të gjithë fajin. Tregon se ka vjedhur një kosovar, por e shtyrë nga Malaj dhe Çupi, të cilët kishin organizuar gjithçka.

Mera, 54-vjeçarja e kallëzuar nga vajza për trafikim

Fanika Mera është 54 vjeçe. Është dënuar me 7 vite burg. Tregon me lot në sy se në burg e ka futur vajza e saj 23 vjeçe, e quajtur Sonila Mera. "Më dënoi gjykata e Laçit për trafikim të vajzës sime. Më kallëzoi vajza se e kam shitur për 10 mijë lekë". Kërkon ndihmë nga ne. Thotë se vajza kur ka bërë kallëzimin ka qenë e droguar. "Vajza erdhi në gjykatë dhe kërkoi falje, por nuk u mor parasysh dëshmia e saj", thotë Fanika. Është bërë katër herë gjyshe. Tregon se edhe tani që është në burg, vajza vjen dhe e takon, por këtë gjë nuk e merr parasysh gjykata. Është e bindur se vajzën e saj e ka trafikuar një djalë nga Peqini, i cili më pas i mbushi mendjen për ta denoncuar.

Bukri, akuzohet nga kushërira për trafikim

Duart i ka të mbushura me unaza floriri. Ka shumë varëse në gushë, madje thotë se nuk i mungon pasuria. Ka jetuar tetë vite në Francë së bashku me dy vajzat e saj, njëra 14 dhe tjetra 12 vjeçe. Vajzat i ka me burrin e parë, ndërsa në Francë ishte martuar përsëri. Është kthyer me vajzat për festat e fundvitit, por në Rinas ndalohet nga policia. Akuzohet se ka trafikuar në Francë kushërirën e saj me banim në Durrës. Diana Luli është nga Elbasani dhe tani shpreson të lirohet, ndonëse nuk ka dalë ende në gjyq. Thotë se në Francë ka një tjetër gjyq për vajzat, të cilat janë larguar nga shkolla. Në fund me plot gojën thotë se nuk ka besim te drejtësia shqiptare, të cilën e quan të korruptuar.

Kadriu, u dënova 5 vjet, pasi nuk dhashë para

Sofie Kadriu, akuzuar dhe dënuar nga Krimet e Rënda me 5 vite burg për veprën penale të trafikut të fëmijëve, shprehet e nervozuar për mënyrën e gjykimit. Thotë se ka nxjerrë për në Itali shumë fëmijë, jo për qëllime trafikimi, por ka ndihmuar familje të tëra. Tregon se jo në të gjitha rastet ka marrë para dhe është shumë e habitur që u dënua më shumë se pjesëtarët e tjerë të grupit. Është e bindur se u dënua pasi nuk i dha avokatit aq para sa i kërkuan. "Unë nuk kisha para për të paguar. Më kërkuan 10 mijë euro, por unë nuk kisha. Më pas më thanë 6 mijë euro, prap nuk dhashë se nuk kisha. E në fund mbeta në burg". E kam çuar çështjen në Apel, tregon Sofie Kadriu, teksa qan për pesë fëmijët që nuk i ka takuar prej disa vitesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›