E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sondazhi pas presionit

02/06/2005  Sondazhi i publikuar nga “Mjaft” vetëm nuk e tha se PD do të fitojë zgjedhjet, pasi në të gjithë pyetjet lihet të kuptohet qartë ky vlerësim. Të gjitha të dhënat, me përjashtim të pyetjes se për kë votoni, lanë të kuptohet se PD mund të fitojë në këto zgjedhje, PS mund të humbasë dhe LSI është konkurente e fortë.

Por pse sondazhi i “Mjaft” përmbyset nga pyetja e fundit lidhur me përkatësinë e votës? Kjo është një pyetje e cila lidhet drejtpërdrejt jo aq shumë më politikën sesa me probleme të thella të sinqeritetit, korrektesës dhe pavarësisë së institucioneve, individëve apo lëvizjeve qytetare në Shqipëri.

Duke parë jetën 2-3 vjeçare të lëvizjes “Mjaft”, është e vështirë të besohet se i mungon guximi, nervi qytetar, pavarësia përgjithësisht dhe në fund edhe korrektesa me qytetarët. Kjo organizatë arriti të bëhet e njohur brenda një kohe të shkurtër dhe transmetoi një regjim të ri në shoqërinë civile të Shqipërisë. Nuk mund të mohohen efektet pozitive të saj te qytetarët, iniciativat e tjera brendapërbrenda shoqërisë civile shqiptare.

Por, vjen një moment që është pak a shumë makina e së vërtetës dhe duhet të përcaktohesh se ku ndodhesh në këtë rrëmujë shqiptare. Fatkeqësisht, “Mjaft” nuk e kaloi këtë provë, pavarësisht se brenda sondazhit dukej qartë dëshira për ta kaluar atë, vihej re pezmi se nuk e kaluan dhe se në Shqipëri duhet dhe një përmasë tjetër për të fituar atë që shpresonte se e kishte lëvizja “Mjaft” tashmë. Dhe kjo përmasë lidhet pikërisht me vendin që zë në jetën shqiptare dhe raporti që krijon me tre përcaktimet e mësipërme, pavarësinë, sinqeritetin dhe korrektesën.

Ndërsa u dhanë rezultatet, shefi i kësa lëvizjeje, Erion Veliaj, nuk ishte në panelin e organizatës së vet. Ai ishte diku në sallë, ndërkohë që kur u lajmërua fillimi i sondazhit, ai ishte në panel. Nuk ka dashur të merrte direkt përsipër pyetjet e vështira të ndonjë gazetari, pavarësisht se kjo shmangie nuk i heq aspak përgjegjësinë e derivimit të rezultateve. Rezultati i sondazhit për votën e të pyeturve shkaktoi ilaritet në sallë, gjë që detyroi disa zyrtarë bullgarë të BBSS të dilnin shumë shpejt nga salla, në mendjen e tyre pa u vënë re, por duke rënë më shumë në sy. Pyetja më e rëndësishme e sondazhit u la të thuhej në fund sikur donin të thoshin shikojini këto të tjerat se janë të vërteta, pasi kjo e fundit nuk është gjë. Kishin të drejtë.

Edhe syri më i pastërvitur me grafiqet dhe tabelat që ofron një sondazh, apo çfarëdo softi i ndonjë pune tjetër do të vinte re diskordancën e përgjigjeve të nxjerra nga pyetësori për të gjitha rastet e tjera në njërën anë me përgjigjen për votimin në anën tjetër. Drejtuesit e “Mjaft” kanë të drejtë të thonë se kështu ishin përgjigjet në sondazh, por të tjerët thonë se në sondazh mundet, por në jetë jo. Raste të shmangies logjike nga grafiku në grafik mund të gjesh, por, gjithsesi, ky është vetëm shqyrtimi i rastit dhe jo tërësisë së problemit, i cili ka të bëjë me jetëgjatësinë e kredibilitetit dhe vlerave në këtë vend që, me sa duket, janë të shkurtra, por edhe kur nuk janë të tilla është dikush tjetër që ua shkurton jetën. Pra si indipendentë, të drejtë, korrektë dhe të sinqertë, jemi të pasigurtë gjithë ditën, dështojmë në mos sot nesër dhe në fund të fundit nuk jemi më shumë se sa vetëm një pjesë nga pasiguria e madhe “Shqipëri” dhe mbijetojmë duke iu përshtatur me zor apo hatër këtij statusi jokorrekt për të ardhmen.

Prej disa ditësh, drejtues të “Mjaft” deklaronin se kishin presione nga parti politike për rezultatet e sondazhit. Nëse ka patur presione dhe duhet të ketë patur ishte një gjë e rëndë, të cilën ata duhej ta denonconin publikisht me emër dhe me parti. Fatkeqësisht, palët e presionit patën sukses, ndërsa “Mjaft”-i, jo. I dhanë një grusht të madh besueshmërisë së sondazheve në Shqipëri dhe zgjodhën për këtë grusht pikërisht një lëvizje të besueshme, të cilës do t’ia besoja sondazhin 100 për qind, vetëm të mos besoja se është goditur besueshmëria në vetvete. S’mund të kesh ndonjë inat për këtë me “Mjaft”, siç nuk nuk është kristiane të urresh viktimën. Inati mbetet për ata që po na zvogëlojnë çdo ditë momentet e besimit, duke na rritur paranojën dhe zvogëluar realitetin, duke na kthyer në subkoshientë të pakorrigjueshëm, të dëmshëm dhe si të tillë edhe të paudhëheqshëm.

“Mjaft” ka lajmëruar edhe për dy sondazhe të tjera. Njëri pas pak ditësh dhe tjetri ditën e votimeve. Nuk i heq të drejtën “Mjaft”-it të korrigjohet përgjatë muajit qershor apo në fillim të muajit korrik, por vetvetiu lind një pyetje, “korrigjim në varësi të kujt?”, që është njëfarë patologjie për shkak të sondazhit të publikuar dje, me gjëra që thuhen e me gjëra që s’thuhen, apo me gjëra që më mirë të mos ishin thënë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›