E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reporterët pa Kufij: Ja grabitqarët e medias

Raporti Nën akuzë Putin, Presidenti kinez dhe ai ruandez

Reporterët pa Kufij, grupi që merret me mbikëqyrjen e situatës së lirive të medias në botë, ka deklaruar se liderët e Kinës, Rusisë dhe Ruandës, mes të tjerëve janë disa nga “grabitqarët më të mëdhenj të lirisë së shtypit në botë”.

Raporti i publikuar së fundi mbi lirinë e medias në botë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, rendit disa nga vendet dhe liderët që konsiderohen si më negativët për sa i takon respektimit dhe lirisë së të shprehurit. Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, kreu i qeverisë së Burmas dhe të tjerë diktatorë ndodhen në këtë listë. Meksika, ndërkohë, konsiderohet si vendi më i rrezikshëm për gazetarët. 62 gazetarë janë vrarë në këtë vend gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka “nxitur një klimë krenare kombëtare në vend, duke persekutuar njëherazi ata që mendojnë në mënyrë të lirë në shtyp”, thuhet në raport. Grupi separatist bask ETA në Spanjë dhe grupet kriminale në Itali thuhet gjithashtu se i kërcënojnë gazetarët dhe lirinë e shtypit në mënyrë të vazhdueshme. Forcat izraelite kanë sulmuar dhe plagosur 33 gazetarë palestinezë, ndërkaq kritika të ashpra ka marrë edhe grupi Hamas. Në raport thuhet se Presidenti i Sri Lankës dhe njerëzit rreth tij kryejnë sulme kundër gazetarëve në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë flagrante. Njerëzit në këtë vend futen në burg me dënime të gjata, për shkak të artikujve që shkruajnë. Tensioni politik është duke u shtuar shumë në Ruandë, para zgjedhjeve të gushtit dhe shumë gazetarë janë duke u rrezikuar seriozisht.

Reporterët pa Kufij kanë hequr ndërkohë nga lista e grupeve të rrezikshëm për media dhe lirinë e shtypit disa grupe irakiane që e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj njerëzve të medias. Megjithatë, në përgjithësi, sipas raportit, situata është e rëndë për median në shumë vende të botës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›