Reporteri i OSBE-së: Më habit bojkoti i PS-së
Vendimi i opozitës socialiste për të bojkotuar Kuvendin vijon të shqetësojë faktorin ndërkombëtar dhe për më tepër ata nuk pajtohen me këtë qëndrim pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Reporteri i OSBE-së për zgjedhjet, deputeti zviceran Kristin Miesch, ritheksoi qëndrimin se bojkoti i opozitës nuk është i arsyetuar. Ai vlerësoi procesin e 28 qershorit dhe shtoi se gjatë procesit të numërimit të votave nuk pati asnjë deformim në leximin e rezultatit. “Sipas këndvështrimit tonë, jo. Të dielën, pas zgjedhjeve, morëm sinjalin si nga qeveria, edhe nga opozita, pra, nga të dyja partitë kryesore, se do ta njihnin rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj, jemi disi të habitur që tani një parti po e bojkoton Parlamentin, sepse bojkoti është një formë proteste, por nuk është kjo zgjidhja, sepse një demokraci ka nevojë për të gjitha palët për të diskutuar. Ne kemi përgatitur edhe raportin final, në lidhje me këto zgjedhje. Këtë raport e biseduam me qeverinë, por edhe me opozitën. Sipas këndvështrimit të OSBE-së, këto zgjedhje i plotësuan standardet ndërkombëtare. Gjatë zhvillimit të zgjedhjeve kudo në botë ka parregullsi të vogla. Edhe këtu ka pasur probleme të vogla”, - tha deputeti zviceran. I pyetur më tej në lidhje me bojkotin e Partisë Socialiste dhe për kushtet e saj për të hyrë në Kuvend, Miesch tha se mungesa e opozitës në Kuvend ka një kosto lidhur më përmbushjen e angazhimeve të vendit për një integrim sa më të shpejtë. Ai tha se opozita duhet të bashkëpunojë për plotësimin e reformave. “Ne e kemi dokumentuar edhe mendimin tonë në lidhje me këtë në raportin tonë. Ne e vlerësojmë sistemin e ri zgjedhor si një përmirësim të dukshëm. Para së gjithash edhe numërimi i votave, ku u mblodhën kutitë e votimit, ishte transparent. Kjo transparencë natyrisht që është një hap rrënjësor përpara dhe kjo nuk duhet diskutuar. Nuk është në dobi të vendit që opozita më e fortë të mungojë. Natyrisht që ky nuk është një sinjal i mirë, pozitiv, sepse është qeveria dhe opozita që duhet të bashkëpunojnë për plotësimin e reformave. Shpresoj më të mirën e Shqipërisë, për këtë vend kaq të bukur”, - deklaroi reporteri i OSBE-së.