E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët vëmendjen te kompensimi i pronarëve

08/04/2009  Fushata parazgjedhore

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar gjatë një takimi me strukturat e forcës politike që drejton në qytetin e Pogradecit se anëtarësimi i vendin në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) është fryt i reformave të mëdha të ndërmarra nga mazhoranca aktuale politike. Duke nënvizuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike, kryerepublikani Mediu është shprehur se tani duhet punuar për arritjen e standardeve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. “Qëllim kryesor tashmë ne duhet të kemi arritjen e standardeve të larta dhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe transparente”, - ka deklaruar ai. Fatmir Mediu është shprehur i bindur se votuesit shqiptarë do t’i japin sërish besimin shumicës së djathtë në këtë përballje të rëndësishme politike. “Ne jemi të sigurt se shqiptarët do të na japin besimin e tyre dhe për një mandat të dytë. Nuk ka emocion më të madh për çdo shqiptar se kur dëgjon presidentin amerikan Barak Obama të thotë se jemi krenarë për shqiptarët dhe qeverinë e tyre”, - deklaroi numri një i PR-së. Gjatë takimit në qytetin juglindor, ku merrnin pjesë edhe anëtarë të tjetër të kryesisë së përgjithshme republikane, Mediu vuri theksin në programin politik të partisë. Ai tha se Partia Republikane ka në themel të programit pronën dhe vazhdon t’i qëndrojë bindjes për kompensimin e ish-pronarëve të ligjshëm. “Ne do të mbrojmë përherë shtresën e pronarëve. Partia Republikane ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e ndjeshme ndaj kërkesave të ish-pronarëve”, - tha ai. Në këtë takim u prezantuan kandidatët për deputet të Qarkut të Korçës. Ndër kandidatët e propozuar ishte dhe Myrvete Pazaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›