E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e shiut, rrëshqitje dherash në jug

Bllokohen akset nacionale, dhjetëra banesa në rrezik shembjesh

Reshjet e shiut vijojnë ta përkeqësojnë situatën në Qarkun e Fierit. Përmbytje, kaos në qarkullim, rrugë të bllokuara dhe banesa të shembura ka qenë panorama e ditës së djeshme në pjesën më të madhe të rajonit. Kështu, 10 banesa në fshatin Mbërs të Komunës Kurjan në rrethin e Fierit kanë pësuar dëme të konsiderueshme si shkak i shkarjeve të dheut. Dëmet në këto banesa janë të dukshme. Muret, tavanet dhe dyshemetë kanë pësuar plasaritje. Ndërkohë që edhe në Hekal të rrethit Mallakastrës, shkarja e dheut ka shkatërruar rrugën kryesore të fshatit dhe ka dëmtuar 12 banesa. Nënprefekti i Ballshit, Shkëlqim Jaupaj, dhe kryetari i komunës, Hamit Rrapaj, gjatë ditës së diel dhe të hënë kanë qenë në fshat dhe kanë parë nga afër dëmet. Ndërkohë që rruga nacionale Fier-Levan mëngjesin e së hënës ka qenë e bllokuar për shkak të shkarjes së masivëve të dheut të kodrës pranë. Një shtëpi ku jetonin gjashtë anëtarët e një familjeje thuajse është shembur, ndërkohë që një maune e ngarkuar me miell është përmbysur në rrugë. Automjeti i tonazhit të rëndë që udhëtonte në drejtim të Vlorës ka devijuar nga rruga dhe është përmbysur për t’iu shmangur shkarjes së dheut. Për këtë rast është dashur ndërhyrja e policisë rrugore për zhbllokimin e rrugës. Gjatë natës së kaluar, edhe rruga rurale për në Cakran ka qenë e bllokuar, për shkak të rrëzimit të disa pishave që ndodhen në anë të saj.

Vlorë

Më shumë se 30 shtëpi rrezikohen të shemben nga rrëshqitjet e dheut në fshatin Trevllazër të rrethit të Vlorës. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të masivëve të dheut dhe banorët ndihen të rrezikuar. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit, në rast të kundërt kanë kërcënuar me bllokimin e rrugës nacionale Vlorë-Fier.

Tepelenë

Në aksin nacional Tepelenë-Memaliaj, në vendin e quajtur Rune, ka pasur shkarje të dherave. Për pasojë është vështirësuar kalimi i automjeteve të mëdha, ku lëvizja për këto mjete kryhet me një kalim. Probleme ka pasur edhe në vendin e quajtur Subash, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, por falë ndërhyrjes së Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, si edhe të forcave të policisë rruga është bërë e kalueshme pa shkaktuar asnjë problem në njerëz dhe në automjete.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›