Rrëshqitja e skarpatës në autostradë, në rrezik pesë familje
Reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës kanë shkaktuar zhvendosjen e një pjese të skarpatës në rrugën hyrëse të autostradës në Kukës. Kjo gjë ka vënë në rrezik pesë familje të një lagjeje periferike të Kukësit, nëpër të cilën kalon traseja e autostradës. Sipas kryefamiljarëve, rrëshqitja e dherave ka nisur një muaj më parë dhe për ta nuk ka menduar askush. Ata thonë se i janë drejtuar edhe Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, por askush nuk ka ndërhyrë te kompania që ka kryer punimet e autostradës. Rrëshqitja e vazhdueshme e dheut rrezikon të marrë me vete shtëpitë e tyre që kanë nisur të plasariten, duke vënë në rrezik jetën e rreth 50 anëtarëve të familjeve që jetojnë shumë pranë rrugës. “Kam gjashtë fëmijë dhe kam frikë të flemë natën në shtëpi. E kam ndërtuar para gjashtë viteve dhe më parë nuk ka pasur probleme. Kemi shkuar te kompania e rrugës, por na kanë thënë se nuk kanë mundësi ndërhyrjeje. Po ç’faj kemi ne për këtë?” - thotë një nga kryefamiljarët. Banorët thonë se do t’i drejtohen për ndihmë qeverisë dhe Kryeministrit. Ata shtojnë se i janë drejtuar edhe policisë për mbrojtje. “Thjesht e kemi informuar për gjendjen, nuk dimë si të bëjmë”, thotë njëri nga banorët.
#