E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Histori: 4 qershor 1920 Traktati i Trianonit

Traktati i Trianonit ishte një marrëveshje paqeje e firmosur më 4 qershor 1920, në fund të Luftës së Parë Botërore, ndërmjet Aleatëve dhe Hungarisë. Traktati ripërcaktoi dhe tkurri kufijtë e Hungarisë. Nga kufijtë e paraluftës Hungaria humbi 72 për qind të territoreve të saj, të cilat u reduktuan nga 325 111 km2 në 93 073 km2. Humbi gjithashtu 64 për qind të popullsisë së saj, e cila u reduktua nga 20.9 milionë në 7.6 milion dhe 31 për qind (3.3 nga 10.7 milionë) të hungarezëve etnikë, të cilët papritur e panë veten të jetonin jashtë kufijve të sapocaktuar të Hungarisë. Hungaria humbi pesë nga dhjetë qytetet e saj më të populluara, por edhe daljen në det bashkë me disa nga rezervat natyrore më të vlefshme. Ushtria e Hungarisë u reduktua te një forcë prej 35 mijë vetësh, ndërsa flota e saj u eliminua. Përfituesit kryesorë të këtyre përshtatjeve territoriale ishin Rumania, Çekosllovakia dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve. Veç kësaj, shteti i sapoformuar i Hungarisë duhej të paguante dëmshpërblime lufte ndaj fqinjëve të saj. Dërgata hungareze e nënshkroi traktatin, përmes protestash, më 4 qershor 1920, në pallatin Grand Trianon, në Versajë. Hungaria mori disa nga territoret e humbura në periudhën 1938-1940 nën Rajhun e Tretë. Më vonë pas Traktatit të Paqes, të nënshkruar në Paris në vitin 1947, u desh të kthehej te kufijtë e vitit 1920.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›