Sezoni pa identitet i “E diell”
Sezoni i tretë i spektaklit “E diell” ka nisur me autoren që i dha formë këtij programi dhe ka përfunduar me të tjerë autorë. Alessia Gregio Vesiçhio, autorja e parë që formatoi programin “E diell” ( i cili nisi transmetimin për herë të parë në fund të shtatorit 2008) e nisi sezonin e ri në të njëjtin shtrat, si ai i dy edicioneve të parë. Rubrikat, edhe pse interesante, nuk u përkthyen siç duhet në audiencë. Arsye kjo, që pikërisht në mes të sezonit, drejtuesit e televizionit më të parë në vend, morën vendimin për të larguar Alessian dhe për të afruar pranë vetes si autorë të programit çiftin Armend Rrexhepagiq dhe Aida Baraku. Epiteti “Karnavale” nuk do të ishte aspak i tepruar, sidomos për disa prej rubrikave të emisionit gjatë këtij gjysmë sezoni. Kështu, spektakli niste si një show, ku në “tapetin e kuq” (duke zbehur totalisht dhe vlerën që ka tapeti i kuq) kalonin gjithë të ftuarit, kalonte në tema serioze, në një debat interesant që Adi Krasta realizonte me tre të ftuarit e përjavshëm. Më tej, minirubrikat e drejtuara nga Xhemi apo motrat Vjollca, e më tej rubrika “Glamur”, që të asocion me titullin e një prej komedive të të madhit Sheaksper “Shumë zhurmë për asnjëgjë” (sqarim: vetëm titulli ngjan). Në mes këtyre “zhurmave”, një hapësirë mjaft e ndjekur mbetej intervista me një personazh, e realizuar nga Krasta, e cila ishte e vetmja rubrikë që nuk e humbi identitetin edhe nga ndryshimi i autorëve. U përfol se gjatë muajve të fundit ka pasur një mos’harmoni, pikërisht mes autorëve dhe prezantuesit Krasta, ku ky i fundit thuhet se ishte shprehur se për shumë prej të ftuarve ka qenë i detyruar t’i intervistojë (në fakt këtë problem duket se Krasta e ka pasur edhe më parë, pasi të njëjtën gjë thoshte edhe kur autore ishte Alessia, e megjithatë...) Dy javët e fundit, emisioni ka qenë i gjysmuar mund të themi pikërisht për shkak të transmetimit të garave ‘Formula 1’ në këtë orar. E diela që lamë pas ishte edhe “E diell” e fundit e këtij emisioni për këtë sezon. Një mbyllje ndoshta pak para kohe, por megjithatë ndoshta ka qenë veprimi më i mirë. Aq më tepër që çifti i autorëve, Aida dhe Armend Rexhepagiq, janë tërhequr tashmë nga kjo aventurë e tyre. Kështu që përveç autorëve të rinj, drejtuesve të këtij televizioni, detyra që u shtrohet është t’i kthejnë identitetin e munguar të dielës në “E diell”!
Ilda Lumani