E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Incidente të lokalizuara në Mitrovicë

Mitrovicë-Përfaqësuesit e strukturave politike dhe ata të sigurisë vlerësuan sot në takimin e rregullt se gjendja e sigurisë gjatë javës së fundit në përgjithësi ka qenë e qetë. Kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi, theksoi se gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente të lokalizuara, kryesisht në veri të qytetit, të cilat nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Përfaqësuesit e policisë rajonale të Kosovës që ishin të pranishëm në takim folën për gjendje të qetë të sigurisë, përkundër disa incidenteve.

Nexhip Gashi, përfaqësues i policisë rajonale përmendi shpërthimin që ka ndodhur javën e kaluar në Lagjen e Boshnjakëve në veri të qytetit, mandej një rast tentimvrasje poashtu në veri si dhe një rast tentimvrasje që ka ndodhur të dielën në Zhabar të Mitrovicës. Lidhur me rastin që ka ndodhur të dielën, ku është sulmuar një qytetar serb, ai tha se nga hetimet e deritashme rezulton se sulmi nuk ka motive etnike, por është konflikt interesi meqë viktima është i njohur për pjesëmarrje në kontrabandë.

"Dyshohet se në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe disa persona të tjerë të komunitetit serb, mirëpo hetimet për këtë rast ende janë duke vazhduar", tha ai. Lidhur me këtë rast kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, ka kërkuar që sa më parë të ndriçohen rrethanat si dhe të nxjerrën para drejtësisë ata që e kanë shkaktuar këtë sulm. Përfaqësuesit e KFOR it, që morën pjesë në takim pohuan se java ka qenë e qetë dhe pa probleme. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›