E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Situata në Mitrovicë, nën kontroll

Mitrovicë-Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Finlandës ka qëndruar në Mitrovicë, ku kanë biseduar për aktualitetin dhe gjendjen e përgjithshme në këtë qytet. Gjatë takimit me kreun e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, delegacioni finlandezë ka shprehur interesimin për gjendjen e sigurisë në veri, ku muajve të fundit kanë ndodhur incidente të shpeshta. Në këtë kuadër, Rexhepi vlerësoi se në përgjithësi situata e sigurisë është e qetë, përkundër provokimeve të përditshme nga strukturat paralele serbe.

Ai theksoi se tendencë e këtyre strukturave është që të destabilizojnë gjendjen në mënyrë që për Kosovën të krijohet një imazh sa më negativ dhe të dëshmojnë se është një shoqëri jofunksionale. Sipas Rexhepit, me organizimin dhe koordinimin të strukturave politike dhe të sigurisë gjendja vazhdon të mbetet nën kontroll, ndërsa kontributin kryesor në këtë drejtim e kanë dhënë qytetarët, të cilët kanë treguar pjekuri dhe nuk kanë rënë në provokimet e strukturave paralele.

Helina Kokkarinen, këshilltare e lartë në Ministrinë e Brendshme të Finlandës, u interesua për aspektin politik dhe për mundësinë e integrimit të serbëve, si dhe për procesin e kthimit të të zhvendosurve në veri. Nga ana e tij, Rexhepi sqaroi se serbët në veri të Kosovës të dirigjuar nga Beogradi refuzojnë institucionet kosovare, si dhe ligjet kosovare, dhe angazhohen që të fuqizojnë strukturat e Serbisë. Ai vuri në dukje se kjo gjendje kaosi, ku nuk funksionon rendi dhe ligji u konvenon kriminelëve dhe kontrabanduesve, të cilët shfrytëzojnë ndjeshmërinë politike për të përfituar materialisht në këtë pjesë të Kosovës.

Sa i përket procesit të kthimit të të zhvendosurve, Rexhepi tha se ky është një problem humanitar, por që është politizuar nga serbët. Prej dhjetë vitesh njerëzit jetojnë nëpër bodrume, paguajnë qira etj, ndërsa shtëpitë e tyre mbeten të shkatërruara në veri.

"Ne kemi filluar dhe do të vazhdojmë që të punojmë në rindërtimin e atyre shtëpive dhe kthimin e të zhvendosurve", tha ai. Rexhepi u shpreh optimist se në të ardhmen, nëse vendoset rendi dhe ligji, veriut do t'i kthehet normaliteti dhe serbët do të integrohen. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›