Rexhepi, dy muaj jashtë fushës

Dardan Rexhepi mund të mungojë dy muaj, pas lëndimit që e pësoi në ‘Svenska Cupen’ (Kupa e Suedisë) kundër Halmstadit. Sulmuesi i Malmos u zëvendësua në fund të pjesës së parë, në fitoren 3:0 të skuadrës së tij.
Ai pati një tërheqje muskulore në kofshë, me ç’rast ra në tokë dhe u ndihmua nga stafi mjekësor për të dalë nga fusha. Lëndimin e 19-vjeçarit e ka konfirmuar trajneri i tij, Roland Nilsson.
“Rexhepi pësoi një lëndim të rëndë. Me gjasë ai pati një tërheqje muskulore në kofshë. Ka mundësi që të mungojë 6-8 javë”, theksoi Nilsson pas ndeshjes.
Shumë shpejt pritet të bëhet një rezonancë magnetike, për ta ditur më saktësisht se sa do të mungojë sulmuesi kosovar.
Por, parashikimi i mungesës së tij prej dy muajsh mund t’ia pamundësojë Rexhepit që të luajë në turnin preliminar të Ligës së Kampionëve, i cili do të zhvillohet kah mesi i korrikut.
Sa për informatë, golat për Malmon në fitoren ndaj Halmstadit i shënuan Larsson, Andersson e Hamad.