Rezarta Skifteri: Jam besnike e stilit dhe ideve personale
Vitaliteti, freskia dhe tendencat më të fundit janë ko rnizat që e fokusojnë ikonën e modës në Shqipëri. Atelieja e saj është nga më të preferuarat për shumë artistë dhe organizatorë të evenimenteve më të mëdha në vend. Në një intervistë për "Summer Time", stilistja Rezarta Skifteri, rrëfen pasionin e saj për modën, punën dhe bashkëpunimin me artistët në atelienë e saj, lidhjen e ngushtë me vajzën, Sarën dhe bashkëshortin, si dhe projektet që do ta ndjekin gjatë këtij sezoni veror. Një jetë e lumtur bashkëshortore dhe një rol prej nëne të përkushtuar e plotësojnë më së miri figurën e një emri që jemi mësuar ta dëgjojmë gjithnjë pas krijimeve origjinale dhe modeleve në pasarela në këto 12 vite në Shqipëri. Pasioni që e ndjek për modën dhe artin në përgjithësi e plotësojnë jetën e stilistes, e cila në çdo moment rrugëton në sinkron me tendencat më të fundit të pasarelave botërore, por njëkohësisht duke sjellë diçka ndryshe tek ne. Risi, të cilat vetëm fantazia e saj mund t'i krijojë dhe materializojë pas kaq vitesh. Rrezarta Skifteri, tashmë njihet për seriozitetin dhe profesionalizmin në punë. Ajo është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për dizajn tekstil në vitin 2000 dhe e pajisur me një diplomë ndërkombëtare në po të njëjtin vit, është një nga emrat më të njohur në modën shqiptare.
Rezarta, sapo ka nisur sezoni veror, do t'ju shohim këtë sezon me ndonjë surprizë apo stil të veçantë para publikut?
Gjatë të gjithë sezoneve unë paraqitem në publik vazhdimisht, nëpërmjet aktiviteteve, koncerteve, spektakleve, videoklipeve të ndryshme. Që do të thotë në çdo moment jam e angazhuar me modën. Ndërkohë, së fundmi po përgatitem për një projekt në Paris.
Kalojmë pak tek fillimet tuaja. Si ka nisur pasioni për stilimin, ka qenë dikush që ju ka ndikuar apo ka qenë zgjedhja juaj?
Pasioni për stilimin tek mua nuk ka nisur, por ka qenë i brendshëm që fëmijë. Më pas, pasioni bëri që unë të bëja këtë zgjedhje. Pra, është zgjedhja ime personale pa u ndikuar nga askush. Dhe ky pasion vazhdon të jetë me të njëjtën forcë edhe tani tek unë.
Në këtë periudhë 12-vjeçare në Shqipëri jeni cilësuar si ikona e modës shqiptare. Mendoni se keni arritur maksimumin tuaj në këtë fushë apo keni akoma për të dhënë?
Mendoj që si çdo stilist tjetër brenda apo jashtë vendit, çdo ditë me punën time sjell risi në artin tim të të krijuarit. Arti nuk ka fund kurrë, ndaj unë me punën time krijoj dhe do të krijoj çdo ditë.
Cila është motoja që ndjek stilistja me famë europiane?
Motoja e punës sime është pasioni dhe dashuria që kam për këtë profesion.
Gjatë këtyre 12 viteve eksperiencë kritikat brenda dhe jashtë Shqipërisë ju kanë vlerësuar për risitë që keni sjellë. Mund të na tregoni disa eksperienca të veçanta gjatë punës suaj?
Eksperiencat janë të përhershme brenda, por shpesh dhe jashtë vendit. Kryesisht përjetoj eksperienca shumë të bukura. Por, po veçoj për momentin e klasifikimit tim në dhjetë stilistët e rinj më të mirë në botë në "Konkursin Ndërkombëtar të Modës"; Çmimin "Gold" në Paris; Çmimin në një përfaqësim ballkanik etj.
Atelieja juaj është nga me të preferuarat për shumë artistë dhe organizatorë të evenimenteve të mëdha në vend. Ju vjen mirë për këtë?
Natyrisht që po. Aktorë, këngëtarë, artistë të skenës, ekranit, artit në përgjithësi pra, kthehen dhe rikthehen gjithnjë në atelienë time prej shumë vitesh, gjë që tregon se ata janë të kënaqur nga veshjet që realizohen në "Atelie Skifteri".
Duke qenë se ju ndiqni një stil të veçantë personal, sipas opinionit tuaj, mendoni se moda në Shqipëri ka filluar të bastardohet, ose të keqkuptohet nga masa e vajzave?
Unë kam stilin tim dhe e shoh të bukurën tek idetë e mia, tek realizimet e mia. Nuk mund të bëj vlerësim të përgjithshëm. Kategoritë janë të ndryshme, ka vajza fashioniste, ka vajza që harxhojnë shumë dhe nuk arrijnë të krijojnë një imazh të tyre, ka dhe vajza që shpenzojnë pak, por kanë nuhatje në veshje.
Dimë që familja është gjëja më e rëndësishme për ju. Duke qenë se në pjesën më të madhe të kohës jeni e angazhuar në atelienë tuaj, sa kohë i mbetet Rezartës për t'ju përkushtuar familjes?
Gjej kohë për të dyja. Këto janë të dyja dashuri të jetës sime.
Jeni një bashkëshorte e përkushtuar në familje. Ndoshta edhe mbështetja e bashkëshortit tuaj në këtë fushë ka bërë që ju të jeni kjo që jeni sot?
Sigurisht. Kur njeriu ka qetësi shpirtërore, kjo pasqyrohet dhe tek puna ime, tek frymëzimi, energjia për punën.
Po vajza ka ndikimin tuaj në modë. Ka dëshirë të imitojë nënën e saj?
Nuk ndikoj absolutisht në zgjedhjet e Sarës, por gjasat duken të mira. Ajo ka dorë në vizatim, gjë që më bën shumë të lumtur.
Rezarta keni ndonjë pasion tjetër përveç stilimit?
Çdo gjë që ka të bëjë me artin për mua është e bukur dhe e ndjek me pasion. Baleti, muzika, filmi, teatri dhe piktura që është dhe profesioni im.
Cilat janë sfidat që do t'ju ndjekin gjatë muajve në vazhdim?
Jam supersticioze për projektet e mia dhe nuk rrëfej asnjëherë përpara.