“Rezoluta konfirmon ecurinë e reformave të qeverisë”

Berisha takon kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin Austriak, Wolfgang Grossruk
Kryeministri Sali Beirsha takoi dje Kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin Austriak, Wolfgang Grossruk dhe delegacionin që e shoqëronte.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe te qeverisë shqiptare për të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë gjatë këtyre viteve Shqipërisë në të gjitha fushat, veçanërisht për integrimin europian dhe proceset e tjera të lidhura me të.
Grossruk e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e përzemërt dhe miqësore dhe rikonfirmoi vendosmërinë e Austrisë për të vazhduar të mbështesë Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare dhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Grossruk e përgëzoi kryeministrin Berisha për projekt-rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian, e cila bën thirrje për realizimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët brenda vitit 2010.
Duke e cilësuar këtë një arritje të madhe dhe të merituar, Grossruk vlerësoi se kjo rezolutë dhe ecja me shpejtësi përpara, si në procesin e liberalizimit të vizave ashtu edhe drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, i dedikohet reformave të thella dhe të jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Grossruk e informoi kryeministrin Berisha për rezultatet e suksesshme të vizitës së delegacionit në Shqipëri, e cila përfshin edhe dhënien e disa donacioneve nga Austria për shërbimin e zjarrfikëseve në bashkinë e Shkodrës, përfshi edhe një automjet modern zjarrfikës.
Kryeministri Berisha e falënderoi Zëvendëspresidentin e OSBE-së, Grossruk për këtë gjest bujar dhe vlerësoi punën e grupit të miqësisë Austri-Shqipëri në forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe të shkëlqyera miqësore midis dy vendeve, dhe në zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke theksuar se shqiptarët janë shumë krenar për këtë miqësi.
Në takim u rikonfirmua edhe njëherë angazhimi dhe vendosmëria e dy vendeve për të vijuar dhe më tej bashkëpunimin në dobi të së mirës të dy popujve.
Grossruck: S’mund të flitet më për krizë në Shqipëri, opozita është në parlament
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck deklaron se pas kthimit të opozitës në parlament dhe pas miratimit të rezolutës për integrimin e Shqipërisë, nuk mund të flitet më për krizë politike.
“Unë jam i kënaqur që problemet, nuk flas për krizën këtu, por problemet politike janë të vogla dhe socialistët u kthyen në Parlament, në të vetmin institucion ku bëhet dialogu dhe merren vendime të rëndësishme. Kështu, unë shpresoj se në të ardhmen kjo situatë, bojkoti i parlamentit do të mbetet një pjesë e vogël e historisë. Dhe jam i lumtur për kthimin e socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Zëvendëspresidenti i OSBE-së.
Duke u ndalur te pretendimet e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 2009-s, Grossruck tha se OSBE e ka dhënë vlerësimin për procesin elektoral, duke e konsideruar atë si në përputhje me rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe të rregullt. “Kam pasur një ekip me anëtarë shumë të specializuar nga disa parlamente të ndryshme, parti të ndryshme dhe anëtarë shtetesh. Kam pasur një ekip prej 15 politikanësh me shumë eksperiencë, socialistë, konservatorë, liberalë dhe të tjerë dhe ne e kemi dhënë vendimin tonë rreth cilësisë së zgjedhjeve”- tha ai.
Grossruck iu referua edhe rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ku deklaroi se Evropa është e interesuar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
“Do të përcjell një mesazh shumë të mirë për Shqipërinë, ju e dini, Parlamenti Europian mori një vendim, Partitë Popullore Europiane votuan për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë jam shumë i lumtur që në fund të këtij viti ju do të keni të njëjtin regjim vizash si vendet e tjera të Europës Juglindore, vende si Serbia dhe të tjera. Ju nuk do të keni më probleme për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian dhe unë jam shumë i kënaqur për këtë vendim. Dua të përgëzoj Shqipërinë”, deklaroi më tej, Zëvendëspresidenti i OSBE-së, Wolfgang Grossruck.