E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet e Exit Poll-eve rrisin tensionin në Fier

Efekti i Exit Poll-eve të publikuara mbrëmjen e së dielës ka nxjerrë në sheshe mijëra përkrahës të Partisë Demokratike, që sipas këtyre sondazheve kishte fituar me diferencë të madhe zgjedhjet. Në Qarkun e Fierit, një zonë që shquhet për mbështetjen ndaj Partisë Socialiste, shpallja e një rezultati pozitiv për PD-në u pasua nga një valë gëzimi që e tejkaloi cakun e një feste. Kështu sheshet dhe rrugët kryesore të Fierit, Lushnjës, Patosit, Roskovecit dhe Ballshit për disa orë gjatë mbrëmjes së të dielës kanë qenë nën mbizotërimin e automjeteve pafund të mbuluara me flamurin e PD-së. Automjetet kanë qenë të mbushura kryesisht me të rinj që kishin hapur kasetofonët me zë të lartë dhe që ulërinin për fitore. Në KZAZ-në numër 20 në Fier, automjetet pafund të mbuluara me flamurin e PD-së kanë arritur deri aty sa t‘u afroheshin edhe kutive të votimit që ishin transportuar nga qendrat e votimit të të gjithë rrethit e që prisnin radhën të vendoseshin në KZAZ. Ajo që të binte në sy gjatë kësaj "feste" ishte prania e kandidatëve të së djathtës mes turmës, por edhe në komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve. Në KZAZ-të e Fierit, si dhe Patosit ka shkuar kreu i shtabit elektoral të PD-së, Sokol Olldashi, i cili ka përgëzuar numëruesit demokratë, edhe pse ata nuk kishin numëruar ende asnjë kuti votimi. Situata e krijuar shkaktoi reagimin e Partisë Socialiste, që me anë të Gramoz Ruçit kërkoi përmbajtje deri në daljen e rezultatit zyrtar. Ruçi i bëri thirrje edhe policisë që të distancohet nga veprimet e militantëve. Por, pas përfundimit të konferencës për shtyp, kreu i shtabit të PS-së, së bashku me disa anëtarë dhe drejtues të lartë të PS-së lokale, është penguar të lëvizë nëpër qytet nga disa simpatizantë të PD-së, si dhe forca të policisë, që i druheshin ndonjë përplasjeje të drejtuesve socialistë me turmën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›