E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultati i 8 Majit KQZ mungojne votat e opozites

Rezultati final e zgjedhjeve vendore të 8 majit, çertifikohet pas katër muajsh, por ndryshe nga 2009, munguan votat e opozitës. Vendimi mori vetëm 4 votat e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Arben Ristani: “Miratuam sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të qeverisjes vendore të datës 8-05-2011 dhe nga sot zyrtarisht fillon edhe mandati i të zgjedhurve lokalë dhe këshillave përkatëse”.

Dy përfaqësuesit e pakicës të pranishëm në mbledhje, u larguan, nga salla e mbledhjeve, pasi kryetari Arben Ristani, nuk lejoi diskutimet jashtë rendit të ditës.

Arben Ristani: “Në rast se do të zbatoni axhendën që kemi përpara mirë, në rast të kundërt do t’ju ndërpres fjalën”.

Dëshira Subashi: “Doni mua të më ndërprisni fjalën. Është një çështje e standartit tuaj që tashmë është çertifikuar”.

Artan Laze: “Unë e quaj veten time të pamudur të shpreh mendimet e mia rreth këtij projekt vendimi dhe po dal jashtë. Ju votat i keni”.

Në fakt debatet nisën që në fillim të mbledhjes pas kësaj deklarate të përfaqësuesit të socialisteve në komision Genc Gjonçaj.

Genc Gjonçaj: “Zoti Ristani, më duhet t’ju drejtohem me mbiemër sepse në të vërtetë ju nuk përfaqësoni kryetarin e KQZ-së”.

Arben Ristani: “Jo, jo. Në këtë moment nuk ka më deklarata”.

Dëshira Subashi: "Nuk mund t’i ndërpresësh fjalën aq më shumë përfaqësuesit të opozitës në KQZ sepse s’e keni bërë asnjëherë në krahun tuaj politik".

Arben Ristani: "Është ky institucion me këto rregulla që ka. Njerëzit që s’i njohin institucionet të mbajnë deklaratat e tyre janë këtij vendi".

Sipas rezultatit final të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, koalicioni i djathtë Aleanca për Qytetarin rezulton të ketë marrë rreth 141 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë Aleanca për të Ardhmen. Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë fitur 5 bashki më shumë, ndërsa koalicioni i djathtë 72 komuna më shumë. Shpalljen e rezultatit final e vonuan zgjedhjet në komunën Shalë në Shkodër, rezultati i së cilës u çertifikua një javë më parë nga kolegji zgjedhor.

Taulanta Boja

Azhornuar së fundi ( e enjte , 15 shtator 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›