Vankuver përgatitet me frikën e dështimit
Kushtet klimaterike mbeten mister, mungon dëbora për Olimpiadën Dimërore
Olimpiada Dimërore 2010 është karakterizuar nga paradokset klimaterike: në një kohë kur bregu lindor i Amerikës së Veriut është përfshirë nga stuhia më e fortë e dëborës që prej viteve ’20, temperaturat në bregun perëndimor janë mbi normalen. Vetëm gjatë së mërkurës, organizatorët e lojërave në Vankuver kanë marrë frymë lirisht, pas flokëve të parë të dëborës që ranë në malin Sipres, ku do të zhvillohet garat e stilit të lirë dhe të snoubordit. Por, kur mungonin diçka më shumë se 24 orë nga fillimi i olimpiadës (ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 18.00), organizatorët kishin startuar “planin e emergjencës”. Në rastin më të keq, hapësira prej 240 hektarësh në malin Sipres, në lindje të Vankuverit, do të mbulohet ose me dëborë artificiale, ose me dëborë të transferuar nga zonat më të larta.
Përgjegjësit e VANOC ishin të bindur se nuk kishin më kohë për të humbur, për shkak të impaktit televiziv në rang botëror. Kjo është arsyeja përse gjatë gjithë kësaj jave, në zonën ku do të zhvillohet aktiviteti, me kamionë janë transportuar mijëra tonë dëborë, e cila është grumbulluar nga lokalitete të tjera të Kanadasë, disa prej të cilave kanë qenë edhe 150 kilometra larg malit Sipres. Dje u dha urdhri që rezervat të shpërndahen në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos shfaqen vonesa në planin e olimpiadës. Në “planin e emergjencës” marrin pjesë skuadra speciale, të afro 15300 personave që do të punojnë për sigurinë e lojërave. Emergjenca është aq dramatike, saqë janë dhjetëra skuadra të impenjuara në shpërndarjen e dëborës në Vankuver dhe në rrethina. Në punë janë futur edhe motoslitat, helikopterët dhe macet e dëborës, madje disa prej mjeteve janë vendosur në dispozicion nga ushtria kanadeze. Arsyeja është e thjeshtë: sipas përllogaritjeve, lojërat në Vankuver do të ndiqen nga afro 3 miliardë telespektatorë, ndërsa në qytetet kanadeze priten më shumë se 250 mijë turistë, pa llogaritur këtu atletët dhe stafet e përfaqësueseve të ndryshme botërore. Interesi i madh që shfaq ky aktivitet ka bërë që organizatorët të studiojnë edhe disa plane për garantimin e sigurisë. Në bashkëpunim me SHBA-në kryhen kontrolle të hapësirave ajrore dhe ujore, ku çdo mjet i dyshimtë do t’u nënshtrohet kontrolleve. Ndërkohë, aeroplanët luftarakë amerikanë patrullojnë në qiell, për të ruajtur të gjitha zonat ku do të mbahet garat sportive.
#