Shoqërisë së distributorëve “ARMO”në Ballsh, i vidhen 4000 litra naftë

25/02/2005 Shoqëria e distributorëve për prodhimin e naftës në qytetin e Ballshit “ARMO”, ka denoncuar tri ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, vjedhjen e 4000 litrave naftë me anë të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime pranë organit të akuzës, të cilat thanë se bëhet fjalë për falsifikim të tollonave të institucioneve shtetërore, me anë të të cilave mund të tërhiqen sasi nafte, të cilat janë të përcaktuara aty. Sipas burimeve, ka tri ditë që shoqëria “ARMO” ka dorëzuar aty kallëzimin penal dhe ka kërkuar gjetjen e autorëve të këtij mashtrimi, që për pasojë u ka kushtuar një dëm prej 4000 mijë litrash naftë të përpunuar. Sipas Prokurorisë, “ARMO” pretendon në kallëzimin e saj se, persona të panjohur janë paraqitur dhe kanë tërhequr naftë me anë të tollonave, që i përkisnin një institucioni shtetëror në kryeqytet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, për arsye hetimore. Burimet sqarojnë se në materialet denoncuese është përcaktuar se janë përdorur tollona të falsifikuara, që kanë rezultuar të jenë dublikate të atyre origjinaleve. Për këtë shkak, kur është kërkuar që të tërhiqen paratë përkatëse nga institucioni, që rezultonte të kishte tërhequr 4 mijë litra naftë, është konkluduar se nafta nuk ishte marrë në të vërtet nga ky institucion. Pas verifikimeve të kryera nga vetë shoqëria “ARMO” dhe institucioni, ka rezultuar se tollonat që kishin përdorur personat që kanë tërhequr naftën, kanë qenë të falsifikuara. Gjithashtu është vërtetuar se këta persona nuk kanë qenë punonjës të këtij institucioni dhe ende janë të paidentifikuar. Burimet e Prokurorisë thanë dje, se kanë filluar verifikimet e materialeve kallëzuese si dhe të tollonave, që “ARMO” pretendon se janë të falsifikuara dhe se më pas do të vendoset për fillimin e hetimit.