Rikard Ljarja si Gjon Kryepremi
26/05/2009 “Shën Gjon Kryepremi” është shfaqur dje në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Me tekst dhe regji nga Stefan Çapaliku, roli kryesor, ai i Gjonit, vjen nën interpretimin e aktorit Rikard Ljarja. Është koha e revolucionit kulturor, kur në Shqipëri ka filluar shkatërrimi i kishave dhe xhamive. Ngjarjet vendosen në një shtëpi qytetase më 29 gusht të vitit 1968. Në shtëpinë e Gjonit arrin nga jashtë televizori i parë në qytet. Ardhja e televizorit koincidon me ditën e Shën Gjon Kryepremit apo ditën e emrit të së zotit të shtëpisë. Ardhja e televizorit nuk mbetet pa rënë në sy të banorëve të mëhallës, të cilët vijnë e mbushin shtëpinë e Gjonit. Nis përpjekja për të vënë në punë këtë aparat të çuditshëm, me anë të cilit mund të çahet izolimi komunist… Me skenografi nga Zef Paci, kostume nga Belinda Maci dhe koncertmaestër Mario Deda, në shfaqje interpretojnë aktorët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës - Zyliha Miloti, Agron Dizdari, Frederik Fistani, Enver Hyseni, Merita Smaja etj.