E Diel, 1 Nëntor 2026

Riker mbështet qeverinë për shtrirjen e autoritetit në veri

PRISHTINË- Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker shprehu mbështetjen e SHBA për qeverinë e Kosovës, sa i përket cështjes së shtrirjen së autoritetit në veri të vendit.

Agjencia e lajmeve Express bën me dije se gjatë takimit që pati sot me kryeministrin Hashim Thaci, zyrtari i lartë amerian theksoi rëndësinë e vendosjes së rendit dhe qetësisë në veri.

“Ne e jemi të kënaqur me situatën e qetë gjatë javëve të fundit dhe mirëpresim marrëveshjen mes KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Kosova natyrisht ka të drejtë si shtet sovran ta shtrijë autoritetin e vetë në tërë territorin e vendit, dhe kjo ka të bëjë me zbatimin e rendit dhe ligjit, që është një koncept fundamental, jo vetëm këtu, por në tërë Evropën”,- ka deklaruar Riker.

I pyetur për mundësinë e një statusi special për veriun e vendit, Riker ka tha se zgjidhja e çështjes së veriut duhet të bëhet sipas planit të Ahtisari, ndërkohë që ka theksuar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës është shumë i qartë.

“Mendoj se duhet të përqendrohemi në zgjerimin e zbatimit të rendit dhe ligjit në veri sipas planit të Ahtisarit. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës është i qartë. Ajo që na duhet është, heqja e paligjshmërisë në veri, por edhe në pjesë tjera të Kosovës dhe duhet të ketë një përqendrim në krijimin e rendit dhe ligjit dhe të institucioneve qeveritare”,- është shprehur zyrtari amerikan.

Duke prekur temën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës edhe Beigradit, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker ka nënvizuar domosdoshmërinë e rikthimit të dialogut ndërmjet palëve.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›