E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Nuk ka kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka shprehur angazhimin e qeverisë së kosovës për normalizimin e gjendjes në veri të vendit .

Në intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, kryeministri kosovar deklaron se vendimet e reciprocitetit me Serbinë janë të drejta dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.

"Kosova është shtet i pavarur, sovran, ka kushtetutën dhe ligjet e veta për rregullimin e vet të brendshëm vendos vetë. Ka të garantuar integritetin territorial prej komunitetit ndërkombëtar të njohur tani prej 79 shteteve. Vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet janë të drejta, janë në përputhje me rrethanat e reja të krijuara, janë legale dhe legjitime dhe Kosova do të vazhdojë të funksionojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, natyrisht me përkushtimin dhe vizionin për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit dhe në kuadër të kësaj për raporte të mira edhe me Serbinë. Pra, nuk do të ketë kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme për Kosovën nga vendimi i 25 korrikut",- deklaroi Thaci.

Kryeministri kosovar sqaron se do të vijojë me normalizmin e gjendjes në veri të vendit, ndërkohë duke vlerësuar ndërhyrjen e KFOR ka shprehur pakënaqësi nga EULEX.

Sipas Thacit veprimet e EULEX nuk do të tolerohen në pafundësi.

“EULEX-i ka axhendën e vet, dosjet e strukturave kriminale në veri, por nuk ka veprime edhe pse janë dosjet e gatshme. Pra duhet të ketë një angazhim konkret dhe në asnjë rrethanë për çështjet e Kosovës, për rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës mos të ketë negociata me Beogradin" , - deklaron kreu i qeverisë kosovare.

Pyetjes se nëse qeveria e Kosovës ne lidhje me veriun e vendit ka vepruar pa marrë miratim e ndërkombëtar, Thaci tha se përshëndet deklaratat e ndërkombëtare, të cilat nënvizojnë se nuk do të ketë kthim mbrapa ne statusin e Ksovës.

"Unë falendëroj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian për deklarimet e tyre shumë të qarta se nuk ka rikthim prapa të paragjendjes së 25 korrikut, pra nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e status-quos që ka qenë më herët. Pra nuk do të ketë ndarje as de jure e as de facto, që edhe Brukseli edhe Uashingtoni besojnë dhe punojnë bashkarisht me ne për perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit ndërsa vendimi për marrjen në kontroll të pikave kufitare dhe kontrollin e plotë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me datë 25 korrik ka qenë vendim sovran i shtetit të Kosovës, i qeverisë së Kosovës, ka qenë vendim kushtetues, ligjor, legjitim, i drejtë i shtetit të Kosovës",- sqaron kryeministri kosovar.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›