Fier, rrezikojnë mbytjen tre peshkatarë
Vëllezërit kishin dalë për të hedhur rrjetat mëngjesin e së hënës kur deti është egërsuar duke iu rrezikuar jetën
FIER - "Kemi 20 vjet që merremi me peshkim, por sot në mëngjes ishte një det i vdekur. Ata që janë peshkatarë, e dinë mirë se ç'do të thotë një gjë e tillë",- u shpreh Fatmir Lulaj pak pasi së bashku me dy vëllezërit e tij arriti të shpëtonte nga mbytja në ujërat e detit Adriatik, në plazhin e Semanit.
Tre vëllezërit kishin dalë në mëngjes për të hedhur rrjetat, por dallgët e detit nuk i kanë lejuar të kthehen në breg, duke rrezikuar jetën e tyre.
Gjithçka është zhvilluar mëngjesin e së hënës, në grykëderdhjen e "Vijës së Ngjalës", në plazhin e Semanit. Eduart, Aleksandër dhe Fatmir Lulaj kishin hipur në një varkë me lopata duke hedhur rrjetat, rreth 500 metra larg bregut. Fillimisht deti ka qenë i qetë. "Por më pas, - thotë Eduarti, - rreth orës 06:30, deti papritur u egërsua dhe fuqia e tij arriti në 8 ballë sa disa herë rrezikoi të na përmbyste varkën".
Duke parë vështirësinë dhe rrezikun që iu kanosej ata kanë hedhur disa spiranca që peshonin rreth 100 kg me qëllim për të lehtësuar sadopak peshën e varkës. "Bashkë me to kemi hedhur edhe disa materiale të tjera që shërbenin për peshkim.
Gjithsesi, edhe pse u kryen këto manovrime e pamë jetën të rrezikuar",- shprehet Fatmiri, vëllai më i vogël. Në këto kushte, duke parë se mund të mbyteshin, vëllezërit kanë kontaktuar me mediat e përmes tyre, me policinë. Për më shumë se tri orë ata kanë luftuar me dallgët, duke pritur për ndihmë. Policia nga ana e saj ka njoftuar rojën bregdetare, si dhe ka vënë në shërbim edhe skafe të disa pronarëve të lokaleve të ndërtuara në plazhin e Semanit.
E ndërsa pritej ndihma, një dallgë e fuqishme këtë radhë iu ka dalë në mbrojtje të tre peshkatarëve. Ajo i ka marrë përpara duke i afruar drejt bregut ku dallgët ishin më të qeta dhe të përballueshme dhe falë forcës e përvojës së tyre mbi 20-vjeçare, kanë arritur të dalin në breg.
Dhjetëra njerëz, si dhe forca të shumta të policisë nën drejtimin e drejtorit të policisë së qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, i kanë pritur me duartrokitje. Ata u tregonin të pranishmëve se dita ka qenë me fat dhe se fati ka qenë me ata dhe fëmijët e dhe familjet e tyre. Policia nga ana e saj ka vënë në funksion rojën bregdetare.
Drejtori i policisë, Shemsi Premçi, u shpreh se situata ka qenë në vëzhgim dhe kontroll qysh nga sinjali i parë i marrë nga peshkatarët. Kjo, nisur dhe nga përvoja e hidhur e humbjes së jetës së dy peshkatarëve nga Divjaka rreth dy javë më parë, Premçi tha se forca policie ishin në vendngjarje së bashku me skafe dhe me motobarka.