Tenton vetëvrasjen i sapokthyeri nga Anglia
TIRANE- Një emigrant 29- vjeçsar, i sapokthyer nga Anglia ka tentiar t'i japë fund jetës me një thikë duke e ngulur atë në zemër.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00 në Kamëz të Tiranës, kur Xh. Kaloshi, 29-vjeç, ka goditur veten me një thikë. Ai ka qenë i vetëm në dhomë kur ka qëlluar veten.
Brenda pak minutash ai është gjetur nga familjarët e tij në gjendje të rëndë të cilët e transportuan menjëherë në spital. Pas ndërhyrjes mjekësore Kaloshi ka mundur t'i shpëtojë vdekjes.
Policia e lajmëruar nga spitali për ngjarjes ka mbërritur menjëherë për të zbardhur motivin. Burime nga policia thanë se u morën në pyetje familjarët e Kaloshit të cilët deklaruan se prej disa javësh ai kishte shfaqur shenja të rënda të depresionit.
Pasditen e djeshme 29-vjeçari është vënë re nga familjarët e tij se nuk ndihej mirë, ndërsa janë shtuar dozat e depresionit duke e detyruar atë të ndërmarrë aktin fatal.
Por ndërhyrja e menjëhershme e mjekëve ka bërë që ai të shpëtojë nga vdekja. Burimet policore shtuan se i vetëplagosuri prej 5 vjetësh jetonte në Angli ndërsa kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer te prindërit e tij në Kamëz të Tiranës. Mësohet se që kur ishte kthyer nga emigracioni nuk ishte angazhuar me punë, pasi kishte shfaqur shenja depresioni.
Policia bëri të ditur se pritet përmirësimi i Kaloshit me qëllim marrjen e tij në pyetje për të sqaruar shkakun e vërtetë që e detyroi atë të qëllonte veten me thikë.
-----------------------------------------------------------------------------------------
Vdes i moshuari, hidhet nga kati i 7
Një i moshuar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i katit të shtatë të pallatit ku banonte. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të ditës së djeshme në rrugën e "Kavajës" në Tiranë, kur Zef Nika, 85-vjeç, është vetëhedhur nga ballkoni i apartamentit ku banonte, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Efektivat e komisariatit të policisë nr.3, mbërritën në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e kufomës por nuk e kanë gjetur atë ne vendin ku ka rënë. Kjo pasi familjarët e tij e kanë marrë dhe e kanë dërguar në shtëpi kur konstatuan se i moshuari kishte vdekur.
Sipas burimeve të policisë, familjarët nuk kishin dijeni për procedurat policore që kryhen në vendin e ngjarjes ndaj dhe kanë marrë trupi e pa jetë të 85-vjeçarit në banesë. Ndërkohë policia mori në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbardhur rrethanat që e detyruan atë t'i jepte fund jetës.
"Nga hetimet e para rezulton se i moshuari prej disa vitesh vuante nga sëmundja e sklerozës dhe tensioni, të cilat mund të jenë bërë shkak që ai të vetëflijohej" thanë për "Shekullin" burimet policore.
Të njëjtat burime shtuan se po punohet për të zbardhur me saktësi motivin që e ka detyruar të moshuarin të hidhet nga kati i shtatë i pallatit. "Nika ka dalë në ballkon dhe më pas është hedhur duke gjetur vdekjen.
Nipi dhe mbesa e tij reaguan menjëherë ndërsa edhe banorët e pallatit u përpoqën t'i jepnin ndihmën e parë por ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë",- thanë burimet policore.
Mësohet se Nika prej pesë vitesh vuante nga sëmundja e sklerozës. Ai jetonte me djalin e tij dhe fëmijët e këtij të fundit, ndërsa bashkëshortja kishte ndërruar jetë disa vite më parë.