E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonstruktohen rrugët, dëmtohet rrjeti i kanalizimeve

SHKODER – Punimet e kryera për rikonstruksion në disa rrugë të Shkodrës kanë shkaktuar dëme të rënda në kanalizimet e ujërave të zeza. 

Vetëm në ditët e fundit banorët e dy lagjeve në pozicione të ndryshme të qytetit janë ankuar pranë ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve për dëmtimin e rrjetit. Sipas qytetarëve, dëmet janë shkaktuar nga puna e papërgjegjshme e disa firmave që kanë punuar në këto rrugë. Kështu, në rrugën “Nazmi Kryeziu” është konstatuar se firma që ka punuar për rikonstruksionin e rrugës, në një segment prej 4 m, ka dëmtuar kolektorin e ujërave të zeza duke bërë shpërthimin e tyre në sipërfaqe. Ndërsa në lagjen “3 Heronjtë”, një firmë tjetër e cila gjatë punimeve për rikonstruksionin e ujit të pijshëm ka dëmtuar rrjetin e atyre të zeza. E lajmëruar nga banorët ndërmarrja e ujësjellësit ka ndërhyrë në kohë duke riparuar defektet. Por sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje është e pamundur të mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme një rrjet prej 150 km, prandaj kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve për të njoftuar në kohë. Ndërsa bashkia e Shkodrës, pasi është njohur me shqetësimet e banorëve për defektet ka ngritur menjëherë një grup pune në të cilin krahas supervizorëve të firmave që mbulojnë investimet në qytetin e Shkodrës, do të marrin pjesë edhe specialistët e saj. Ky grup pune do të analizojë të gjitha avaritë e konstatuara, do të përcaktojë shkaktarët e tyre dhe në fund koston financiare të riparimit të dëmit. Sipas kreut të bashkisë, Lorenc Luka, në rast se rast se problemet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve janë shkaktuar nga puna e papërgjegjshme e firmave të ndërtimit, objektet nuk do të merren në dorëzim nga bashkia dhe ndaj këtyre firmave do të merren masa. Luka bëri të ditur se ato do të penalizohen sipas ligjeve në fuqi, si edhe do t’u hiqet e drejta për të marrë sërish realizimin e investimeve në qytetin e Shkodrës.  r.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›