Vodhën tri makina në një ditë, kapen dy të rinj
Dy të rinj nga qyteti i Ballshit janë vënë në prangat e policisë në orët e para të mëngjesit të djeshëm për vjedhjen e disa automjeteve. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së Ballshit, Robert Lamçe dhe Elidon Gërbi, përkatësisht 26 dhe 24 vjeç janë arrestuar në orën 04.00 të mëngjesit të djeshëm, të akuzuar për vjedhjen e tri veturave brenda një dite. Arrestimi i tyre është bërë pas zbatimit të operacionit të koduar "Taksia". Sipas burimeve të Policisë së Ballshit mësohet se Lamçe dhe Gërbi, lindur e banues në Ballsh, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin vjedhur tri automjete, ndërkohë që vjedhja e automjetit të katërt ka mbetur në tentativë. Serinë e vjedhjeve e kanë nisur mbrëmjen e së hënës. Ata kanë vjedhur në fillim dy mjete "Volkswagen" me targa të Mallakastrës dhe i kanë fshehur në stacionin e trenit të qytetit. Më pas kanë vjedhur edhe automjetin e tretë po "Volkswagen" dhe këtë e kanë fshehur në një rrugicë pranë banesave të tyre në lagjen "5 Shkurti". Më vonë ata i kanë tentuar tw vjedhin një "Mercedes Benz" në qendër të qytetit të Ballshit, por janë diktuar nga pronari i mjetit, i cili i ka njohur dhe ka njoftuar policinë.