E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen ne KQZ Ristani PS e mirepritur pa kushte

3 anëtarët e majtë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve do ulen sërisht në këto karrige të lëna bosh prej javës së parë të janarit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi konfirmon për Albanian Screen një fakt të tillë, së bashku me kërkesën për t’iu rikthyer një pjese të mirë të vendimeve që maxhoranca në institucion i ka kaluar vetëm me votat e saj.

“Do të jemi atje për të thënë fjalën tonë, për të bërë gjykimin tonë për procesin zgjedhor. Shpresoj shumë që gjykimi ynë të merret në konsideratë për të gjetur zgjidhje, që së paku, në pjesën më të rëndëisishme të zgjedhjeve që është muaji që sapo hymë dhe deri në fund të procesit zgjedhor, të kemi një kohë të fituar nga ato që kemi humbur. Shpresoj që t’u rikthehemi edhe disa akteve të cilat kërkojnë domosdoshmërisht rishqyrtim”-tha Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së.

Krahas rihedhjes në votë të vendimeve, të majtët në KQZ kërkojnë dhe miratimin e një rregulloreje të brendshme të institcionit. Ndërsa për kryetarin Ristani, ky është një vendim i mirëpritur, por kushtet nuk duhet t’i adresohen atij.

“Kontributi i tyre është i nevojshëm dhe i domosdoshëm në mbledhjet e KQZ-së. Më vjen mirë që vlerësojnë se duhet të rrinë korrekt me detyrën dhe ligjin dhe të kontribuojnë në mbledhjet e KQZ-së për t’i organizuar këto zgjedhje në mënyrën më të mirë të mundshme. Detyra e tyre buron nga Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta dhe ata nuk munden t’i vënë kushte ligjit. Mendoj që janë kushte pa adresë. Nuk kanë kujt t’ia vënë kushtet”- tha Arben Ristani, kryetar i KQZ-së.

Subashi deklaron se është ende në detyrë pavarësisht kërkesës së Ristanit për ta zëvendësuar. Por krahas kësaj, ajo shprehet e shqetësuar standardin e munguar të këtyre zgjedhjeve.

“Problematika do të shënojë në fund të zgjedhjeve një standart të munguar”- tha ajo.
Anëtarët e majtë i kërkojnë kryetarit Ristani të shfuqizojë vendimin që i heq kuotën mujore të karburantit dhe telefonit, në të kundërt do t’i drejtohen gjykatës.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›