Rikthehen përplasjet në Kakome
Gryka e Prodanit, atje ku rruga nacionale Sarandë-Vlorë degëzon majtas për të hyrë në Kakome, ka vënë në një përballje të re dhe të ftohtë banorët nivicjotë dhe përfaqësues të firmës "Riviera" e njohur në sipërmarrjen e saj të penguar prej vitit 2005 për të ngritur fshatin turistik në Kakome. Skenat e krijuara deri natën vonë në këtë Grykë, kanë përngjarë aq shumë me netët e ftohta të shkurtit të vitit 2005. Atëherë gra, fëmijë dhe pleq, ashtu si burrat dhe të rinjtë nivicjotë u ngritën në mbrojtje të pretendimeve të tyre për Gjirin e Kakomesë dhe tokat përreth. Të pranishme dje ishin edhe uniformat blu, me tre furgonë. Por forcat e rendit të Komisariatit të Sarandës nuk kanë vepruar në mbështetje të asnjërës palë. Rruga ka qëndruar e bllokuar deri në orët e vona. Përfaqësuesit e firmës "Riviera" thonë se kanë gjithë dokumentacionin dhe lejet e duhura për të investuar në zonë, ndaj kërkojnë mbështetjen e autoriteteve shtetërore për ta zgjidhur këtë situatë absurde.