E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen rekrutimet e dhunshme, prindërit mblidhen në Bunavi

Prej disa ditësh, policia ushtarake dhe ajo e rendit kanë nisur një aksion të gjerë për të plotësuar planin në sezonin e grumbullimit të të rinjve për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Shumë djem të moshave 19-22 vjeç janë marrë me forcë nga rruga, nga shtëpitë dhe nga vendet e punës për t‘u vënë nën armë. Prej disa ditësh, në bazën e stërvitjes në Bunavi të Vlorës janë grumbulluar rreth 120 të rinj, të cilët do të qëndrojnë aty për rreth dy muaj, përpara se të shpërndahen në repartet ushtarake në të gjithë vendin. Familjarë të këtyre të rinjve, të cilët janë marrë forcërisht për të kryer shërbimin ushtarak, janë grumbulluar në dyert e bazës ushtarake të Bunavisë për të mësuar për fatin e djemve të larguar nga shtëpitë shpesh pa asnjë njoftim. Shumë nga prindërit që ndodheshin dje përpara derës së bazës ushtarake tregonin se policia i kishte marrë djemtë në shtëpi edhe në orën 5:00 të mëngjesit, direkt nga krevati, si të ishin kriminelë. Një prind tregon se fëmijën e tij e kanë marrë zvarrë nga shtëpia dhe e kanë futur në furgon dhe prindërit nuk e kuptuan ç‘po ndodhte. Të tjerë prindër ankohen se fëmijët e tyre janë marrë nëpër rrugët e qytetit dhe për rreth tetë ditë nuk kanë pasur asnjë lajm, madje kanë bërë edhe kallëzime në polici për zhdukjen e tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësues të repartit ushtarak dhe të policisë ushtarake nuk japin asnjë koment në lidhje me ankesat e prindërve.

Madje, rekrutët e marrë me forcë nuk janë lejuar të takohen me prindërit, që i prisnin te dera e bazës ushtarake të Bunavisë. Krerët e bazës ushtarake nuk kanë lejuar gjithashtu që rekrutët të marrin veshjet dhe ushqimet që prindërit ua kishin sjellë nga shtëpitë.

Viti 2009 është i fundit kur të rinjtë shqiptarë do të jenë të detyruar të kryejnë shërbim ushtarak. Qeveria shqiptare ka miratuar tashmë ligjin që heq detyrimin ushtarak për meshkujt, duke e kthyer ushtrinë shqiptare në një ushtri profesioniste, ku shërbejnë njerëz që paguhen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›