E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 24 orë katër aksidente të frikshme

Policia rrugore regjistroi katër aksidente në Tiranë gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Katër aksidente automobilistike kanë vënë në rrezik jetën e disa personave, por për fat të mirë ata i kanë shpëtuar vdekjes. Ngjarjet rrugore kanë pasuar njëra-tjetrën brenda një intervali të shkurtër kohe, duke alarmuar policinë. Mësohet se aksidenti më i rëndë ka ndodhur në qendër të kryeqytetit kur dy automjete një fuoristradë tip "KIA" me targa të Tiranës u përplas me një "Mercedes" me targa të Beratit, por fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur viktima.
Burime nga policia thanë se përplasja ka qenë tepër e fortë, duke kthyer përmbys fuoristradën. Forcat e policisë kanë transportuar me urgjencë drejtuesit e mjeteve në spital, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia bëri të ditur se ekspertët e hetimit të aksidenteve nisën punën për të zbardhur rrethanat e aksidenteve. Në bazë të hetimeve të para, blutë bënë të ditur se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën po udhëtonin mjetet duke mos u dhënë kohë drejtuesve të shmangnin përplasjen. Policia sqaroi se edhe tre aksidentet e tjera kanë shpëtuar pa viktima.
Ndërkohë, gjashtë të plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor që ndodhi dje paradite në segmentin rrugor te lagjja "5 Maji" në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë, një automjet tip "Benz" me targë EL 0881 C, i cili drejtohej nga 17-vjeçari Ismail Gjineci u përplas me automjetin tip "Benz" me targë EL 3914 B që drejtohej nga 59-vjeçari Ymer Mimini. Përplasja ka shkaktuar plagosjen e gjashtë personave, të cilët u transportuan me urgjencë në spital. Policia bëri të ditur se mbetën të plagosur Ymer Mimini dhe personat që ndodheshin në automjetin e tij, bashkëshortja Shpresa Mimini 54, vjeçe, Enver Cepa, 60 vjeç dhe Hance Cepa, 56 vjeçe me banim në Çermë të Lushnjës, të cilët janë të afërm të çiftit Mimini. Gjithashtu u lëndua drejtuesi i mjetit tjetër 17-vjeçari Ismail Gjineci dhe nëna e tij, Shpresa Gjineci, 43, vjeçe banues në lagjen "5 Maji", të cilët ndodheshin në automjetin tip " Benz" me targë EL 0881 C. Policia nisi menjëherë shkaqet e aksidentit ku nga hetimet e para dyshohet se shkak i përplasjes së dy mjeteve ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit nga ana e 17-vjeçarit Ismail Gjineci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›