E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen sërish piratët somalezë

Pas pushimeve të verës për shkak të monsuneve rikthehen sulmet e piratëve somalezë kundër anijeve tregtare. Pavarësisht pranisë së më shumë se 50 anijeve luftarake në ujërat e Bririt të Afrikës, piratët somalezë kanë rifilluar me shumë stil sulmet kundër anijeve tregtare. Sipërmarrja e tyre më e fundit ka të bëjë me faktin se janë përpjekur të marrin peng një anije gjigante nafte që mbante flamurin e Hong Kongut dhe kishte një gjatësi prej 330 metrash. Tentativa e sekuestrimit ndodhi në ujërat ndërkombëtarë rreth 1600 kilometra nga brigjet somaleze dhe 650 milje nga ato të ishujve Sejshelle. Një distancë jashtëzakonisht e madhe. Piratët kanë përdorur dy barka të vogla super të shpejta dhe kanë qëlluar me armë dhe rakethedhësa. Por sulmi ka dështuar, sepse komandanti ka rritur shpejtësinë e anijes cisternë dhe ka urdhëruar për të ecur zigzag me qëllim krijimin e dallgëve të mëdha që kanë penguar piratët t‘i afroheshin anijes gjigante. Thirrjes për ndihmë të anijes iu përgjigj komanda franceze "Floral" dhe një avion patrullimi nga Luksemburgu i nisur nga ishujt Sejshelle. Kërkimet nuk patën sukses. Për momentin në duart e piratëve janë më shumë se 190 pengje, mes të cilëve edhe një çift britanik që u kapën në tetor ndërsa udhëtonin nga Tanzania në Sejshelle. Më 2 tetor banditët e detit morën peng anijen spanjolle "Alakrana" dhe 36 anëtarët e saj të ekuipazhit. Ata kanë bërë me dije se nuk dëshirojnë të flasin ende për shpërblim pa u lëshuar dy prej kolegëve të tyre që u kapën një ditë më vonë nga një anije spanjolle lufte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›