Rusi, pushohet nga puna zyrtari i policisë, kritikoi Kryeministrin Putin në "YouTube"
Korrupsion, raste të rreme, të pafajshëm në burg: një polic rus ka kritikuar ashpër kushtet e vendit të tij të punës me dy video-mesazhe të nxjerra në internet të drejtuara ndaj Kryeministrit të vendit, Vladimir Putin. Mesazhi ka bërë xhiron e botës menjëherë, e po ashtu ka reaguar edhe Kremlini. Ministria e Brendshme ka nisur hetimet, ndërsa polici i pakënaqur është pushuar menjëherë nga puna. Por, duke parë se si rrjedhin gjërat në Rusinë e tij, tani jeton me frikën për jetën. Emri i tij është Alexei Dymovskiy, një oficer 32-vjeçar nga Novorossisk, një qytezë në Rusinë Jugore. Dymovskiy u bë i famshëm kur në 5 nëntor publikoi dy video në "YouTube" ku jo vetëm që proteston për rrogën e ulët dhe çuditë e jashtëzakonshme të policisë ruse, por kritikon ashpër edhe burgosjen e shumë njerëzve të pafajshëm sipas tij, korrupsionin e shpërndarë gjithandej dhe shefat e paaftë. I veshur me uniformë, pas një sfondi blu, i drejtohet në rusisht drejtpërdrejt Kryeministrit rus, Putin, duke i kërkuar "një mbledhje për krizën". Më konkretisht, polici qortonte eprorët e tij, që mes të tjerash e kishin detyruar të punonte pa u paguar në fundjavë dhe zgjidhjen e çështjeve të rreme. Po ashtu i kishin refuzuar edhe shpërblimin në një rast plagosjeje. "Dua t‘u tregoj për jetën brenda policisë ruse, injorancën, vrazhdësinë, mungesën e përgjegjësisë", shpjegon oficeri. Po ashtu, ai flet për një organizim në të cilin "zyrtarët japin jetën për shefat e paaftë", thotë Dymovskiy. Mesazhi i vendosur në internet dhe në faqen e tij personale ka shkaktuar shumë bukë te zyrtarët e lartë të Kremlinit. Në vend që të ndiqte rrugën hierarkike, Dymovskiy ka menduar të shfrytëzojë mjetet e reja të komunikimit për të shprehur gjithë pakënaqësitë përmes dy video-mesazheve. Ish-kreu i Kremlinit nuk ka dashur të bëjë komente mbi këtë ngjarje. Por, nëse të dielën në mbrëmje një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Moskë, siguronte se do të niste menjëherë hetimin dhe rezultatet do t‘i raportoheshin Kryeministrit Putin dhe Presidentit Dmitrij Medvedev, pak orë më vonë i njëjti zëdhënës ka komunikuar në mënyrë të papritur se ngjarja ishte mbyllur dhe se polici ishte pushuar nga puna për "mungesë nderi". Sipas asaj që raporton agjencia "Interfax", rasti konsiderohej i mbyllur. Pavarësisht kësaj, videoja po kalon çdo parashikim në Rusi. Menjëherë pas publikimit, më shumë se 400 mijë vizitorë kanë parë online akuzat e Dymovskiy. Në komentet dhe blogjet ndryshme të përdoruesve, përdoruesit i japin të drejtë policit, ndërsa disa kolegë e kritikojnë ashpër. Tani oficeri ka frikë për jetën. Ai ka treguar se është ndjekur nga dy makina me të panjohur në bord dhe se tani "për arsye sigurie", po mendon të transferojë gruan dhe fëmijët te të afërmit, referon agjencia ruse e lajmeve. "Ndërkaq, nga ana e qeverisë është bërë presion mbi mua dhe kolegët e mi që të mos konfirmojnë kritikat e bëra nga ana ime", ka vazhduar më tej ai. Dymovskiy është bërë pjesë e policisë rreth dhjetë vjet më parë dhe është angazhuar kryesisht kundër trafikut të drogës.