E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet ‘El Clasico’

Real Madridi dhe Barcelona do të luajnë sonte në ‘El Clasicon’ e radhës. Dy gjigantët spanjollë do ta zhvillojnë duelin e parë çerekfinal të Copa del Rey. Trajnerët e të dyja ekipeve thonë se ky kompeticion nuk ka rëndësi të madhe për ta, por e pranojnë se fakti që luajnë në mes vete i bën që ta kërkojnë me ngulm fitoren.

Real Madridi dhe Barcelona do të takohen sonte, në ndeshjen e parë të çerekfinales së Copa del Rey. Madrilenët do të mundohen t’i japin fund dominimit të katalunasve në përballjet direkte. ‘Los Blancos’ e kanë fituar vetëm një nga 12 duelet direkte me ‘Blaugrana’, duke i humbur 8 e barazuar në 3 ndeshje tjera.

Reali është kampion aktual i këtij trofeu, pasi e kishte mposhtur pikërisht Barcelonën në finale, falë golit të Cristiano Ronaldos në lojën shtesë. Trajneri Jose Mourinho mendon se ky trofe nuk do të jetë kushedi sa i rëndësishëm, por vetë përballja me rivalin e përjetshëm e shtyn atë të kërkojë fitore në Santiago Bernabeu.

“Copa del Rey është objektivi ynë i tretë, pas Ligës së Kampionëve dhe La Ligas. Mirëpo, këto ndeshje dëshiroj t’i fitoj gjithmonë. Nëse fitojmë, të nesërmen zgjohem i relaksuar, ndërsa nëse humbim, të nesërmen do të jem i trishtuar”, deklaroi ‘Special One’.

Ndeshjen e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve e fitoi Barcelona muajin e kaluar 3:1 në La Liga, falë golave të Alexis Sanchez, Xavi Hernandez e Cesc Fabregas. Kjo ishte hera e parë në gjashtë ndeshje që Lionel Messi nuk e gjeti golin në Santiago Bernabeu.

Ndeshja e sontme ndërmjet dy rivalëve më të mëdhenj në Spanjë do ta shtojë në 9 numrin e ‘El Clasico’ të zhvilluara në harkun e një viti. Edhe pse gjenden 5 pikë prapa Realit në La Liga, katalunasit do të udhëtojnë drejt Madridit që të nxjerrin rezultat pozitiv.

“Është një përballje e kupës, jo ndeshje e ligës. Mirëpo, nuk ka asnjë kompeticion në të cilin ne nuk angazhohemi dhe që nuk mundohemi ta fitojmë. Në këto lloj ndeshjesh lojtarët e mi kanë dëshirë të bëjnë lojëra të mira dhe t’i fitojnë ato”, u shpreh trajneri spanjoll për të përditshmen ‘Marca’.

Reali pritet të luajë me Casillas në portë, kurse përpara tij në mbrojtje do të jetë katërshja Coentrao, Ramos, Pepe, Marcelo. Mesfusha pritet të përbëhet nga Xabi Alonso, Diarra, Di Maria e Ozil, ndërsa në sulm do të jenë Ronaldo e Higuain.

Në anën tjetër, tek Barça mund të mbrojë portieri Pinto. Në mbrojtje mund të luajnë Alves, Puyol, Pique e Abidal, ndërkaq në mesfushë, lojtarët e zakonshëm Xavi, Busquets e Iniesta. Përpara tyre, sulmit do t’i prijnë Fabregas dhe dyshja Messi-Sanchez.

Në duelet tjera çerekfinale, Espanyoli ka luajtur mbrëmë me ekipin modest Mirandes, kurse sonte përpos ‘El Clasicos’, do të zhvillohet edhe takimi Athletic Bilbao – Real Mallorca. E nesër mbrëma, Valencia luan me Levanten.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›