Superliga fitojne Flamurtari e Shkumbini

Nuk u desh të pritej shumë dora spanjolle në Vlorë dhe skuadra kuqezi e korri fitoren e parë. Flamurtari i trajnerit Hulian Rubio Sançez fitoi 2-0 në Berat ndaj Tomorit vendas, në një paraqitje me mjaft këmbëngulje dhe vëmendje që nga fillimi deri në fund.
Skuadra vlonjate përfitoi edhe nga mungesa e tifozëve në fushën e dënuar beratase, por kjo nuk i heq asnjë përqindje merite suksesit të saj. Gjithçka filloi që në sekondat e para të takimit kur Pepa mori një top të gjatë nga gjysmëfusha e tij dhe depërtoi në zonën vendase ndihmuar nga përgjumja e beratasve.
Më pas, ai u koordinua dhe shënoi për 1-0, një gol që e ndryshoi taktikisht këtë ndeshje.
Në vazhdim, Tomori u duk i pafuqishëm, dhe Flamurtari arriti të shënonte edhe golin e dytë, pesë minuta para pushimit. Aksioni u zhvillua po në të majtë, ndërsa mbrojtja e ekipit të trajnerit Mile ishte sërish jo në krye të detyrës.
Kjo bëri që Nijazi Lena të shënonte pa shumë vështirësi. Deri në fund nuk ndryshoi asgjë, madje Tomori e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pasi një futbollist vendas doli nga loja me karton të kuq.
Ky sukses e ngjiti Flamurtarin në kuotën e 4 pikëve duke qenë fitorja e parë në kampionat në 3 javë, ndërsa Tomori mbeti në fund me 0 pikë.
Në ndeshjen tjetër të orës 14:00, Shkumbini fitoi në Peqin ndaj Besës 1-0 me gol të shënuar në nisje të pjesës së dytë nga Magani. Peqinasit kanë tani 3 pikë, ndërsa Besa mbetet tek kuota 4.