E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet INSIG, nis privatizimi i katërt

Projektligji për privatizimin e INSIG rikthehet në Kuvend për herë të katërt brenda 7 vjetësh. Procesi i parë daton më 2002-shin, më tej më 2007-n dhe dështimi i fundit në maj 2009. Kësaj here qeveria e ka marrë seriozisht finalizimin e privatizimit, duke ndryshuar formulën. Varianti zyrtar ka mbërritur këto ditë në Kuvend, i cili duhet të miratojë procedurën e shitjes së 100 për qind të aksioneve, tashmë pronë e shtetit shqiptar.

Pas disa tentativave, qeveria iu afrua shumë afër shitjes së INSIG-ut në dhjetor të vitit 2008, kur shpalli fituese një shoqëri amerikane, e cila ofroi rreth 50 milionë dollarë. Në çmim përfshiheshin 61 përqindëshi i palës shqiptare dhe 39 për qind i aksionerëve BERZH dhe IFC. Pas heshtjes tremujore, qeveria pranoi dështimin e privatizimit. Në variantin e ri të paraqitur nga Këshilli i Ministrave, miratuar më 20 gusht 2009, thuhet se, "pas negociatave me grupin e punës për privatizimin e INSIG-ut dhe me konsulentin, shoqëria amerikane ARLL u tërhoq nga procesi, ndikuar nga recesioni ekonomik botëror".

Projektligji "Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG-ut", parashikon si formë privatizimi përsëri tenderin e hapur ndërkombëtar, veçse tashmë jo vetëm me investitorë të huaj, por edhe vendas. Tenderi për shitjen e 100 për qind të aksioneve do të nisë në fillim të vitit 2010 dhe parashikon një procedurë të hapur ndërkombëtare. Për herë të parë në garë do të përfshihen edhe biznese vendase në fushën e sigurimeve. Ndryshe nga herët e tjera, në procesin e shitjes së aksioneve nuk janë përfshirë pronarët e truallit, sikurse e parashikon ligji i privatizimeve.

Për tetë muajt e parë të vitit 2009, kompania e sigurimeve INSIG ka kryer një volum primesh 618 milionë e 431 mijë lekë, me një rritje të lehtë 3 për qind nga viti 2008. Sa i takon peshës, kompania shtetërore e sigurimeve zë 12.34 për qind të tregut, duke u renditur e treta mes tetë shoqërive që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve. Sipas AMF-së, INSIG ka humbur rreth 2 pikë përqindje zotërim të tregut, megjithatë renditja nuk ka ndryshuar nga viti 2008 e deri më sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›