E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet ideja e trenit ekspres Tiranë-Durrës-Rinas

• Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje ofertën për marrjen me koncesion të hekurudhës Tiranë-Durrës.Kompania zvicerane "Stadler" ka përfshirë në këtë projekt edhe zgjatimin e hekurudhës në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas si dhe portin e Durrësit dhe në Golem. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit Berisha përveç marrjes më koncesion të këtij segmenti hekurudhor, në projekt janë parashikuar edhe vendosja e trenave moderne dhe të shpejtë. "Kryeministri u njoh me projektin pilot të kësaj kompanie për marrjen me koncesion të segmentit hekurudhor Tiranë-Durrës, me zgjatim në aeroportin "Nënë Tereza", portin e  Durrësit dhe në Golem. Projekti përfshin rikonstruksionin e segmentit hekurudhor, vendosjen e trenave modernë dhe të shpejtë për transportin e pasagjerëve dhe mallrave si dhe menaxhimin e këtij segmenti", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Kompania "Stadler" ka vendosur të shtrijë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, nisur nga ndryshimet rrënjësore, të kryera në drejtim të krijimit të një klime shumë tërheqëse për investime dhe me shkallë të lartë sigurie. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, pasi ka vlerësuar projektin e kompanisë zvicerane për marrjen me koncesion të kësaj hekurudhe, u ka garantuar atyre mbështetje për implementimin e këtij projekti konform ligjeve dhe rregullave në fuqi. "Kryeministri Berisha premtoi transparencë dhe profesionalizëm në vlerësimin e ofertave koncesionare", thuhet më tej në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë. Për të njëjtin aks hekurudhor Tiranë- Durrës, u interesua katër vjet më parë edhe kompania amerikane "General Elektrik". Kjo kompani i kërkoi qeverisë shqiptare, gjatë kohës që vendi qeverisej nga socialistët, që të merrte një kredi, me terma tregtare, prej 80 milionë dollarësh, të cilat më pas do t'i kalonin kompanisë amerikane, që nga ana e saj do të ndërtonte hekurudhën ku do të kalonte treni elektrik. Por pas qëndrimit të prerë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kundër këtij projekti, qeveria e pas 3 korrikut, e kryeministrit Berisha e rrëzoi një vendim të tillë të ish-qeverisë Nano.              a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›