E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të 400 pedagogët e rinj me grada shkencore”

• Hapen vende pune për 400 pedagogë të rinj në universitetet publike. Vetë Kryeministri Berisha, bëri publik dje marrjen e këtij vendimi."Me këtë vendim synohet të përmirësohet dhe rritet cilësia e mësimdhënies. Kjo duke tërhequr pranë tyre edhe të shkolluarit në universitetet më të mira jashtë vendit, nëpërmjet krijimit të hapësirave të reja në kuadër të procesit të 'brain gain" ('rikthimin e trurit')", tha kryeministri. Ai theksoi se situata aktuale në universitetet publike lidhur me gradat e mësimdhënësve, pedagogëve është e papranueshme. Doktoraturat e fituara në universitetet perëndimore përbëjnë vetëm 5 për qind të të gjithë mësimdhënësve, ndërkohë që në vende të tjera është 5 dhe 7 herë më e lartë. Në tërësi shumica e këtyre doktoraturave janë të para viteve '90. Kryeministri u bëri thirrje drejtuesve të universiteteve të shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofron ky vendim për rekrutimin e më të mirëve në stafin akademik të tyre. "Unë dëshiroj dhe shpresoj se qarqet akademike universitare të vendit do ta përdorin këtë vendim për të përthithur e rikthyer në Shqipëri celebritete shqiptare, studiues që kanë mbrojtur doktorata apo grada shkencore", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›