Rikthehet trafiku në Tiranë

Rikthehet sërisht trafiku në Tiranë. Këtë herë nuk janë bërë shkak reshjet e shiut por bllokimi i një pjese të rrugës së sheshit “Skënderbej” që ndodhet pranë xhamisë. Vazhdimi i punimeve në këtë shesh këtë herë ka bllokuar edhe arterien kryesore në qendër të Tiranës duke sjellë edhe devijimin e trafikut për në rrugën “Abdi Toptani”, ose ndryshe rrugën e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve. Por pikërisht ky devijim ka sjellë edhe një trafik në këtë aks rrugor si dhe në rrugën në afërsi të Ministrisë së Transporteve, pasi përveç automjeteve të vogla në këtë aks rrugor të ngushtë do të duhet të qarkullojnë edhe autobusët e linjave të Kombinatit, Tiranës së Re apo edhe linjave të tjera. Kështu që të gjitha këto kanë risjellë trafikun në kryeqytet e në qendër të tij.
Ndërkohë që për të normalizuar trafikun në kryqëzimet e rrugës “Abdi Toptani” ndodhen dy punonjës të policisë rrugore të cilët janë të gatishmëri për të sjellë në normalitet lëvizjet e automjeteve. Ndërsa dy nga punonjësit e policisë bashkiake qëndrojnë në afërsi të Bashkisë. Por se sa do të qëndrojë ky aks i shkurtër rrugor e cili sjellë edhe anomali në lëvizjen e automjeteve kjo nuk ka një afat të caktuar, ajo që tashmë është më e dukshme është trafiku në qendër të Tiranës. Bllokimi i kësaj arterie kryesore të kryeqytetit sjellë automatikisht edhe trafik në rrugët e tjera siç është në rrugën “Myslym Shyri”, rrugën e Kavajës, apo edhe në rrugën e Elbasanit.