E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rillogaritja e pensioneve të parakohshme dhe suplementare

Hiqen kufijtë e përcaktuar më parë për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe sipas vendimit të fundit të qeverisë, ato edhe në rastet kur do të rezultojnë më të vogla, do të jenë sa pensioni bazë i pleqërisë. Nëpërmjet vendimit të fundit qeveria ka bërë disa ndryshime edhe për rregullat e rillogaritjes për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Më konkretisht, në kreun V të vendimit të mëparshëm, “Rillogaritja e përfitimeve”, bëhen këto ndryshime: “Pikat 1 dhe 2 të shkronjës “C”, ndryshohen si më poshtë vijon: 1. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të caktuar do të llogaritet sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, dhe, pas këtij veprimi, kur masa mujore e përfitimit, në momentin e lindjes së të drejtës, është më e vogël se pensioni bazë, sipas nenit 32 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vendoset sa pensioni bazë i pleqërisë. Mbi këtë masë përfitimi zbatohen koeficientët e rritjes apo të indeksimit të pensionit, të zbatuar për pensionet e pleqërisë në përputhje me nenin 32 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur, dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit. 2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit të parakohshëm, data, mbi të cilën do të referohet pagë mujore mesatare referuese neto, do të jetë: data 1 janar 1999 (data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit nr.8087, të ndryshuar) për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës pas kësaj date; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999”. Më tej, qeveria ka ndryshuar edhe pikën 1 të shkronjës “D”, sipas të cilës, masa fillestare e pensionit suplementar të caktuar do të rillogaritet sipas kritereve të përcaktuara në nenet 16, 18 dhe 20, të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, në përputhje me llojin e së drejtës dhe, më pas, mbi këtë masë përfitimi, zbatohen koeficientët e rritjes apo të indeksimit të pensionit, të zbatuar për pensionet e pleqërisë në përputhje me nenin 32 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur, dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›